Situata për shkak të pandemisë vazhdon që të jetë shqetësuese në rajon, sidomos në Itali dhe Greqi.
Gjatë 24 orëve të fundit, në Itali raportohet se janë regjistruar 19.037 raste të reja me Covid-19, një shifër kjo më e lartë se një ditë më parë.
Deri tani që prej nisjes së pandemisë në Itali, janë regjistruar 2.028.354 të infektuar me Covid-19.
Ndërkohë që 24 orëve të fundit janë shënuar 459 viktima, vetëm 6 më pak se dje, duke e çuar në 71.359 numrin total të viktimave. Që prej ditës së djeshme më 24 dhjetor Italia është vendosur e gjitha në zonë të kuqe.
Nga ana tjetër Greqia shënon një ule të lehtë të kurbës së infeksionit. Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 617 raste të reja pozitive dhe 50 viktima.
Po ashtu, numri total i rasteve pozitive ka shkuar në 134.852 ndërsa i viktimave në 4507.
Mediat greke theksojnë se të dhënat aktuale për numrin e të infektuarve nuk janë të sakta meqë Agjencia Shtetërore e Shëndetit Publik (EODY) përdor dy metoda të ndryshme për llogaritjen e numrit të rasteve me Covid-19.
Në lajme është deklaruar se numri i personave të infektuar të cilët u përcollën në komisionin e ekspertëve të Qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë nuk është i njëjtë për shkak të përdorimit të dy metodave të ndryshme që monitoruan numrin ditor të rasteve në spitalet publike dhe private.
Agjencia Shtetërore e Shëndetit Publik (EODY), nga ana tjetër, deklaroi se pretendime të tilla janë “trillime” të plota, duke shtuar se “lajme të tilla, ngrenë dyshime në një kohë kur të gjithë kanë nevojë për unitetin kombëtar”.
Prokuroria e Athinës ka nisur një hetim kundër Agjencisë Shtetërore të Shëndetit Publik për të hetuar pretendimet e mediave./Gazetareforma.com/