Policia e Tiranës e ka metodë pune rrahjen e të ndaluarve dhe më pas i akuzon për “Kundërshtim ndaj policisë” dhe “Mosbindje ndaj urdhrit të policisë ”. Një rast flagrant është i Erald Alimehmetit, i cili ka denoncuar dhunën në qelitë e Drejtorisë së Policisë Tiranë. SHÇBA e drejtuar nga Muhamet Rrumbullaku nuk heton dhunën e 5 policëve të Rrugores.
Erald Alimehmeti, shtetas shqiptaro-amerikan, ka denoncuar dhunën që është ushtruar sipas tij, nga efektivët e Policisë të Komisariatit nr.2 në Tiranë, sepse ishte kapur në rrugë duke lëvizur pa maskë.
29 vjeçari tregon se policët e kanë qëlluar në makinë teksa e shoqëronin në Komisariat. Më pas thotë ai, është futur në një dhomë pa kamera dhe aty të 5 efektivët që e shoqëruan, i gjuanin me radhë, edhe pse ishte i prangosur.
“Më futën në dhomë dhe nuk m’i hoqën prangat dhe aty më kanë goditur të gjithë policët që më shoqëruan. U kam thënë disa herë që të lajmëroja konsullatën amerikane që të njoftoja nënën time që është në Amerikë. Unë nuk kam goditur njeri pasi kam qenë i prangosur.”, ka thënë ndër të tjera Alimehmeti.
Efektivët e policisë Rrugore, e kanë akuzuar Alimehmetin se i ka kërcënuar dhe më pas gjuajtur me shkelma në momentin që ata i kanë hequr prangat.
Dhunën fizike të ushtruar ndaj 29 vjeçarit shqiptaro-amerikan Erald Alimehmeti, e ka konstatuar dhe gjyqtari Kreshnik Omari, si dhe prokurori i çështjes, të cilët zhvilluan masën e sigurisë për shqiptaro-amerikanin. Ata kanë konstatuar se ai kishte hematoma të shumta në fytyrë. Prokuroria e Tiranës i ka kërkuar SHÇBA të nisë hetimet për punonjësit e policisë Albert Vidrica, Laert Bistri, Edvin Zhupa, Zabit Laçi dhe Shkëlqim Hasmica, të cilët dyshohet të jenë personat përgjegjës për dhunimin e Erald Alimehmetit.
Pesë vjet më parë e rrahu Operacionalja
Dhuna ndaj Alimehmetit është e përsëritur. Pesë vjetë më parë, Avokati i Popullit, i ka shkruar Drejtorit të Policisë Tiranë, më 29 shtator 2015. Ai kërkonte “Fillimin e hetimit të procedimit disiplinor ndaj punonjësve të policisë së Njësisë së Vëzhgimit të Forcës së Posaçme Operacionale, pranë Drejtorisë së Policisë Tiranë të cilët, më datë 10 Gusht 2015, kanë kryer arrestimin e shtetasit Erald Alimehmeti”. Motivi i kërkesës lidhet me dhunën pa shkak të ushtruar ndaj Alimehmetit. Atë e kanë rrahur keqazi pasi është ndaluar.
Në përgjigjen drejtuar Institucionit të Avokatit të Popullit më datë 22 shtator 2015, Komisariati i Policisë nr.2 Tiranë informon se shtetasi Erlad Alimehmeti është arrestuar për veprën penale “Kundërshtim i punonjësit të policisë të rendit publik”, “Kanosje për shkak të detyrës” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake”.
Ankesa
Nëna e Erald Alimehmetit, Vjollca Alimehmeti është ankuar tek Avokatit të Popullit se punonjësit e Policisë së Shtetit kanë ushtruar dhunë fizike gjatë arrestimit të djalit të saj, ngjarje e ndodhur më datë 10 Gusht 2015.
Vjollca Alimehmeti për këtë ngjarje, ka informuar dhe Ambasadën Amerikane në Tiranë, meqenëse djali i saj Erald Alimehmeti gëzon shtetësinë amerikane.
Mbi këtë shqetësim, Avokati i Popullit ka urdhëruar kryerjen e një hetimi të pavarur, i cili ka konsistuar në kërkesat për informacion drejtuar Komisariatit të Policisë nr.2, Drejtorisë së Policisë Tiranë, administrimin e dokumenteve, si dhe marrjen e deklarimeve të shtetasit Erald Alimehmeti, në mjediset e Burgut 302 në Tiranë.
Drejtori i Policisë Tiranë, shkresës “Kërkesë për informacion” të datës 29 shtator 2015, i është përgjigjur me shumë vonesë, më datë 5 nëntor 2015. Drejtoria e Policisë Tiranë, në informacionin e dërguar nuk ka sqaruar se kush kanë qenë punonjësit e policisë të cilët kanë marrë pjesë dhe kanë kryer arrestimin e shtetasit Erald Alimehmeti, si dhe nuk ka dërguar fotokopje të Raportit të Shërbimit të përpiluar prej tyre.
Ja si u dhunua Alimehmeti në 2015-n
Në deklarimet e tij shtetasi Erald Alimehmetit, ka shpjeguar se në ditën e ngjarjes 9 gusht 2015, rreth orës 19.00, ka dalë nga shtëpia e tij që ndodhet në afërsi të qendrës “Globe” dhe ka shkuar tek një supermarket, ku ka blerë disa gota me kos. Pasi ka dalë prej andej, ka konstatuar se po ndiqej nga tre persona civilë dhe për t’ju shmangur atyre për disa orë ka lëvizur në rrugë të ndryshme, në afërsi të vendbanimit të tij.
Ndërsa ishte duke ecur në rrugë, kanë ardhur dy civilë që sipas ankuesit e kanë kapur nga kyçet e duarve, duke i përkulur kokën dhe njëri prej tyre e ka qëlluar me gju në anën e djathtë të fytyrës tek syri disa herë. I dëmtuari Erald Alimehmeti ka pyetur se kush ishin, ndërsa personat i janë përgjigjur “se ishin Policia”, ndonëse nuk i kanë treguar dinstiktivin e kërkuar prej tij. Më pas personat pa uniformë policie, e kanë shtrirë me forcë për tokë duke i vendosur prangat në duar dhe qëlluar me shqelma në pjesë të ndryshme të trupit si dhe përdorur fjalë ofenduese.
Si e shkelën ligjin policët e Operacionales
Duke parë në tërësi veprimet e kryera nga punonjësit e Njësisë Operacionale të Drejtorisë së Policisë Tiranë, të cilët kanë marrë pjesë në arrestimin e tij konstatohet se prej tyre ka shkelje ligjore.
Falsifikimi i akuzave
Gjatë trajtimit të ankesave të shtetasve të ndryshëm drejtuar Institucionit të Avokatit të Popullit, janë ngritur pretendime se Policia e Shtetit iu ka atribuuar atyre padrejtësisht vepra penale të pakryera siç mund të jenë “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” me fjalë për ta penguar të kryejë detyrën apo duke ushtruar dhunë, “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë të rendit publik” etj, të cilat i kanë pasqyruar në Raportet e Shërbimit. Pas, 5 vjetësh nga ngjarja, akoma SHÇBA nuk ka çuar asnjë polic në pranga për këtë rast. Dhe nuk ka si ndodh ndryshe kur, për herë të dytë Erald Alimehmeti rrihet në qeli dhe SHÇBA e merr vesh nga gjykata për skandalin.
Iconstyle