Nga foltorja e kuvendit, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi tha sot se ministrat e rinj janë vazhdim i supermenit Gjushi, e supermenit Bajra, Avdulaj etj.
Ajo mori në mbrojtje socialistët dhe tha se ministret e reja mund të kishin dalë në terren ashtu si gratë e PS.
“Në fakt ajo që të bën përshtypje është që për hir të së vërtetës kemi një vit e gjysmë që ne e deklarojmë edhe më shumë por ka më se 1 muaj e gjysmë që SHBA-të me institucionin e tyre zyrtar mediatik “Zërin e Amerikës” dalin qartë se si votat e një maxhorance të inkriminuar kanë ardhur në parlament me para të drogës dhe krimit të organizuar. Këta që janë këtu mbrapa me ndonjë përjashtim të vogël, socialist them ndërsa pjesa tjetër nuk është gjë tjetër veçse janë vazhdimësia e supermenit Gjushi, e akullores, e supermenit Bajra, Avdylaj e çdo gjë tjetër. Kjo viktima këtu që vjen nga biznes i mesëm, e cila për hir të së vërtetës nëse familjes së saj i ka rënë në qafë drejtorja e tatimeve por vjen këtu edhe të mbulojë mashtrimet e shefit të saj që për hir të së vërtetës kishte bërë pak zhvillim, se deri dje vinte me çorape. Kjo zonja këtu duhet të kuptojë shumë mirë se banka e shtetit të Singaporit që ka falimentuar nuk mund të shpëtosh dot transaksionet e shefit tënd që të sakrifikosh fëmijët e tu për Edi Ramën. Nëse po dashuria jote për të i kaloka të gjitha hapësirat njerëzore.
Për të qenë më të kthjellët për të gjithë, ne në fakt duhet të sjellim një model tjetër për këtë kemi luftuar që të jemi të barabarta e të mos kemi kompleks. Në momentin që kemi ardhur në këtë arenë jemi gladiatorë e gladiatorë, kujt ia mbajnë gjunjët le të përballet. Kur të dalin dhe këto të mbledhin vota si gratë socialiste, atëherë po ke të drejtë të flasësh për to. Ne duhet të kemi sjellje tjetër jo si të drogaxhinjve e kriminelëve. Sepse do të përballemi çdo ditë e më shumë me problemet. E problemet nuk janë probleme politike, janë probleme për të ardhmen”, deklaroi Kryemadhi.
Ajo pretendoi se njerëzit e ri që vijnë në parlament vijnë për të shkatërruar PS. Nuk mungoi një replikë me kreun e grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla, të cilit i tha se mund të ishte ai ministër.