Skip to content
Të Gjitha

Durrës/ Shoqërimet e të miturve në Polici, familjarët iritiohen teksa presin përballë Komisariatit për lirimin  

· 2 min lexim

Familjarët e disa personave të arrestuar dhe shoqëruar dje nga Policia e Durrësit kërkojnë lirimin e fëmijëve të tyre.

Ata kanë qenë të pranishëm që në orët e para të mëngjesit para drejtorisë së Policisë, ku kanë kërkuar lirimin e të ndaluarve.

Nga të shoqëruarit që vazhdojnë akoma të jenë në Polici, janë: Fatmir Topi, Fatjon Sylisufaj, Francesko Rama, Shefqet Duka, Andri Istrefi, Anton Marku dhe Nikolin Caca.

Policia e Durrësit ka arrestuar 7 persona si dhe ka proceduar 15 te tjerë pasi ishin pjesëmarrës në protestën që u zhvillua për 25-vjeçarin Klodian Rasha.

Sipas policisë, këta persona organizuan grumbullim dhe manifestim të paligjshëm, kundërshtuan punonjësit e Policisë dhe penguan qarkullimin e mjeteve të transporteve.

Gjithashtu u bë shpallja në kërkim, për veprat penale “Shkatërrim i pronës”, “Kundërshtim i punonjësit të Policisë”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, e 2 shtetasve.

Njoftimi i plotë:

“Organizuan grumbullim dhe manifestim të paligjshëm, kundërshtuan punonjësit e Policisë dhe penguan qarkullimin e mjeteve të transporteve, arrestohen në flagrancë 7 shtetas, procedohen penalisht 15 shtetas, si dhe shpallen në kërkim 2 shtetas të tjerë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, në përfundim të veprimeve të kryera në lidhje me protestën e paligjshme të zhvilluar ditën e djeshme, përpara Bashkisë Durrës e më pas përpara godinës së Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë”, “Shkatërrim i pronës”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshëm”, shtetasit:

G.Sh, A. Xh., Xh. S., A. D., A. L., E. Zh. dhe A. M.Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht, për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” 3 shtetas (organizatorë të protestës), dhe për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” 12 shtetas.Gjithashtu u bë shpallja në kërkim, për veprat penale “Shkatërrim i pronës”, “Kundërshtim i punonjësit të Policisë”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, e 2 shtetasve.

Shtetasit e lartpërmendur kanë protestuar në mënyrë të paligjshme, nuk i janë bindur urdhrit të Policisë për t’u shpërndarë dhe kanë bllokuar lëvizjen e mjeteve në qytet.Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme”.

/GazetaReforma.com/