Protesta ka pasur sot edhe në disa qytete të vendit ndaj vrasjes së 25-vjeçarit, Klodian Rasha nga një efektiv policie. Rreth orës 18, njëkohësisht me protestën në Tiranë, protestues janë mbledhur edhe në Fier, ku ish- deputeti i PD-së Luan Baçi udhëhoqi protestën duke kërkuar rrëzimin e qeverisë Rama.
Me qirinj në duar të rinj, simpatizantë të PD dhe LSI marshuan nga vendi i njohur si Rrethrrotullimi i Sharrës deri në qendër të qytetit duke kaluar përmes bulevardit kryesor të qytetit.
Ata kanë ndaluar pranë perfekturës dhe në shenjë homazhi kanë ndezur dhe qirinj. Ish-deputeti Luan Baçi ka mbajtur një fjalim të shkurtër ku apeloi protesta për rrëzimin e qeverisë. Kryetari i PD-së, Fier Luan Baçi postoi në rrjetet sociale pamje nga protesta me thirrjet “Rama Ik”.
Durrës, digjet pema e Krishtlindjeve
Pasi ndezën qirinj, të rinjtë që protestuan pasditen e sotme në Durrës nisën të shpërndaheshin, por më pas ata janë drejtuar drejt sheshit “Liria” dhe kanë nisur të shkatërrojnë dekorin e vendosur me rastin e festave të fundvitit.
Këtij shkatërrimi nuk i kanë shpëtuar as pema e Krishtlindjeve së cilës i është vënë flaka dhe as zbukurimet e ndryshme të vendosura aty, të cilat janë dëmtuar. Media raportoi se policia ka shoqëruar një numër të madh prej tyre në ambientet e policisë.
Elbasan, dhjetëra protestues ndezin qirinj
Edhe në Elbasan, dhjetëra persona janë bërë bashkë për të protestuar ndaj vrasjes së Klodian Rashës. Me thirrjet “Poshtë diktatura”, “Rama ik” protestuesit kanë ndezur qirinj në shenjë solidariteti.
Korçë, dëmtohen dekoret e Fundvitit
Protestuesit në Korçë, pas homazheve, janë zhvendosur në qendër të qytetit ku kanë dëmtuar të gjitha dekoret e festave të fundvitit. Mediet raportojnë se forca të shumta policie ndërhynë për të qetësuar situatën.