Studentët e Fakultetit të Drejtësisë, ajo pjesë që kërkon rikthimin e procesit mësimor, do të kenë mundësi t’i ndjekin leksionet e seminaret në ambientet e gjimnazit “Petro Nini Luarasi”.
“Njoftohet i gjithë personeli akademik dhe studentët e ciklit të parë dhe të dytë të Fakultetit të Drejtësisë Universiteti i Tiranës, se nesër në datë.30.01.2019, ora 14.00, rifillon procesi mësimor në ambjentet e gjimnazit ‘Petro Nini Luarasi”, thuhet në një njoftim të Fakultetit të Drejtësisë.
Kujtojmë, se prej disa ditësh, një grup studentësh kanë bllokuar hyrjen e fakultetit të Drejtësisë, si formë proteste, për plotësimin e kërkesave që kanë shtruar prej kohësh.
Ndërsa të martën, ka qenë Dekani i Fakulteti të Drejtësisë, Artan Hoxha, i cili ka njoftuar se mësimi për studentët e fakultetit që ai drejton do të nisë në një nga gjimnazet e Tiranës.
Në Fakultetin e Drejtësisë, së fundmi, ka pasur tensione dhe përplasje mes grupeve të studentëve, pasi janë ndarë në ata që duan të vijojë mësimi dhe në ata që duan të vijojë bojkoti.