Tashmë është e disata herë ku Operacioni Forca e Ligjit (OFL), dështon në mënyrë spektatolare me dërgimin e formularëve të deklarimit të pasurisë subjekteve të dënuar më parë, duke nxjerrë në pah që realisht kjo iniciativë e Policisë së Shtetit, është veçse një show i radhës.
Pas dërgimit të formularëve personave që ishin të vdekur apo që ishin shpallur në kërkim, ditën e sotme OFL i ka dërguar formularin e vetëdeklarimit të pasurisë një 30-vjeçari me akuzën e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike.
Në të vërtetë rezulton se 30-vjeçari Elton Ferizi, i dënuar për prodhim dhe shitje narkotikësh ka bërë 1 vit burg se konsumonte hashash, as nuk prodhonte dhe as nuk shiste. Këtë gjë e ka deklaruar edhe nëna e 30-vjeçarit, Shpresa Ferizi.
është shprehur se djali i saj është i papunë dhe nuk ka as shtëpi e as pasuri. Sipas Shpresa Ferizit, ka qenë ajo që ka denoncuar në vitin 2011 djalin e saj se pinte hashash dhe shkonte i dehur në shtëpi, por policia e ka arrestuar për shitje droge dhe i biri është dënuar me 3.5 vite burg.
“Nuk e di ca pasurish do deklarojë djali im. Unë jam e sëmur, mu ngrit tensioni menjëherë, dhe tani që po flas. Unë jam me Covid-19, kam një muaj. E di gjithë lagja, djalin e mbaj unë, nuk ka asnjë pasuri djali.
Shtëpia është në emrin tim, djali nuk ka shtëpi se nuk ka punuar. E kam denoncuar unë djalin, se pinte hashash, pinte raki dhe vinte i dehur. Djalin e futën në burg 1 vit. Unë e mora policinë të më ndihmonin. Ata më thanë në nuk vijmë nëse nuk ka hashash. Gjeta hashash nga komshinjtë dhe i thashë policisë hajdeni.
Djali u dënua 3.5 vite. Pastaj ra kjo falja dhe e liruan. Si në Shqipëri me lek. Në 2011 u dënua. OFL-ja para duhet të shikojë sa pasuri ka djali, jo të na trazojë ne të gjithë si familje. Se fëmijën time kam denoncuar vetë se po më ikte nga duart. Ai as nuk ka prodhuar drogë e as nuk ka shitur, ishte konsumues. OFL-ja duhet të merret me gjëra të tjera, jo me djalin tim”, ka thënë e shqetësuar nëna e Elton Ferizit, Shpresa Ferizi./GazetaReforma.com/