Sorollatjet dhe mungesa e korrektësisë ndaj rekomandimeve europiane nga ana e qeverisë shqiptare ka detyruar ambasadorët e BE-së, që të bien dakord që të mos i hapin negociata e anëtarësimit me Shqipërinë.
Gjatë mbledhjes së sotme ata vendosën që të shtyjnë për të disatën herë hapjen e bisedimeve të negociatave me Shqipërinë, gjë e cila ka penalizuar edhe Maqedoninë e Veriut, në pritje të çeljes së tyre.
Një ditë më parë, ishte kancelarja Angela Merkel, e cila i dha “një shuplakë” shpresës së Shqipërisë, duke deklaruar se nuk ka një afat se kur mund të hapen bisedimet me Shqipërinë.
Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm (Coreper), ra dakord në konkluzionet e tyre se, Shqipëria nuk është akoma e gatshme të mbajë konferencën e parë ndërqeveritare me BE-në, pasi ka ende punë për të bërë për kushtet e vendosura që nga Marsi 2020.
Ambasadorët siç bëjnë rëndom, “vlerësuan” punën e Shqipërisë mbi reformat, por theksuan se, “ajo duhet të tregojë më shumë përparim në përmbushjen e kushteve”.
Italia thuhet se u përpoq të zbuste ‘gjuhën e tekstit’ të konkluzioneve për Shqipërinë, por kërkesa u refuzua.
Negociatat janë shtyrë
Drafti i konkluzioneve të arritura sot nga ambasadorët e BE-së do të miratohet nga Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme, i përbërë nga ministra të punëve të jashtme dhe evropiane, të vendeve anëtare të BE-së, në 8 dhjetor.
Sipas informacioneve tashmë zyrtare, BE-ja ka vendosur të shtyjë për në muajin mars të vitit 2021, nisjen e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Mediat e huaja raportojnë se ambasadorët e BE-së nuk kanë rënë dakord për fillimin e bisedimeve për negociatat me këto dy vende të Ballkanit Perëndimor.
“Ndryshe nga projekt-konkluzionet e mëparshme, propozimet e fundit të Presidencës Gjermane, nuk përmendim më dhjetorin si muajin e konferencës së parë ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Kjo konferencë do të mbahet kur Shqipëria të plotësojë dy kushtet e mbetura: ringritjen e Gjykatës Kushtetuese dhe miratimin e ligjit anti-shpifje”,- thuhet në vendimin e ambasadorëve, shkruan ‘Euroneës’.
Pse u penalizua Maqedonia e Veriut
E gjendur mbase “aksidentalisht” brenda të njëjtës “paketë” me Shqipërinë, fqinji ynë Lindor, Maqedoninë e Veriut, u penalizuar duke mos ju çelur as asaj bisedimet.
Ambasadorët e BE-së u deklaruan në lidhje me Maqedoninë e Veriut se, data për konferencën e parë do të caktohet sapo vendi të zgjidhë çështjet e tij me Bullgarinë.
Kujtojmë se, Bullgaria ka bllokuar fillimin e bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut, me pretendimin se, gjuha maqedonase është një dialekt i bullgarishtes dhe se, nuk ka asnjë pakicë maqedonase në Bullgari.
Të dy deklaratat kërkohet të përfshihen në dokumentin përfundimtar që lejon fillimin e bisedimeve. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, deri tani ka refuzuar të heqë dorë nga kërkesat.
/GazetaReforma.com/