Koronavirusi nuk kursen as kampionët e botës… Pak ditë pasi fitoi çmimin e madh të Bahreinit, Lewis Hamilton, kampioni i botës në “Formula 1” doli pozitiv me koronavirus.
Kampioni shtatë herë në “Formula 1”, është në izolim pasi rezultati i tij pas testit doli pozitiv. Përgjigjen ai e mori ditën e sotme dhe me shumë gjasa do të humbasë “Grand Prix Sakhir” në Bahrain këtë fundjavë.
Vetëm dy javë pasi u shpall për herë të 7-të kampion, ai është infektuar nga koronavirusi dhe me të gjitha gjasat humbet garën e fundjavës.
Pikërisht anglezi do të zëvendësohet në krye të makinës më të mirë “Mercedez” nga Stoffel Vandoorne ose Esteban Gutierrez.
Hamilton është një nga garuesit më të mirë në gjithë historinë e “F1”, pasi me tituj qëndron barazim me legjendën Schumacher, teksa ka më shumë fitore se gjermani duke mbajtur rekordin.
Sa i përket infektimit, vetëm javën e kaluar, Hamilton, rezultoi plot 3 herë negativ, teksa të hënën ka shfaqur simptoma pasi ka pasur kontakte me një individ dhe tashmë, atij i duhet të qëndrojë në izolim të paktën deri në fundjavë.
“Formula 1” ka dalë në një deklaratë aty ku thotë: “FIA, Formula One dhe Mercedes Team konfirmojnë sot që gjatë testimit të detyrueshëm para garës PRC për Grand Prix të Sakhir, Lewis Hamilton ka dalë pozitiv për Covid-19”.
/GazetaReforma.com/