Prishtina me autobus falas në situatën e pandemisë Covid-19. Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka bërë me dije se të gjithë qytetarët do të mund të udhëtojnë falas me autobusë urbanë. Në krahasim me Tiranën, kryeqyteti i Kosovës ka bërë shumë lehtësime ndaj qytetarëve. Komuna e Prishtinës ka dhënë grant për bizneset me xhiro deri në 50 mijë euro, janë dhënë ambiente pa qira për artistët, i janë dhuruar 100 euro çdo pensionisti dhe 50 euro çdo të sëmuri me Covid-19, po ashtu janë dhuruar impulse telefonike të sëmurëve.
“Kemi vendosur që muajin dhjetor i gjithë Transporti Publik në Prishtinë të jetë falas. Kjo do të na kushtojë një pjesë të buxhetit, por mendojmë se ja vlen”, shkruan Ahmeti.
Ai ka kërkuar nga qytetarët të tregohen të kujdesshëm për mbrojtjen e shëndetit në kohë pandemie.
“Zbatimi i të gjitha rregullave dhe masave mbrojtëse kundër COVID-19 mbeten në fuqi dhe janë të obligueshme për secilin që udhëton me këta autobusë”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.
/GazetaReforma.com/