Një prokuror , pas shumë dokumentesh të paraqitura, arriti të provojë burimin e parave për blerjen e apartamentit. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 21 tetor të konfirmojë në detyrë prokurorin e Apelit Tiranë, Arben Qosja pasi shpjegimet dhe provat e dorëzuara për blerjen e apartamentit të vetëm që zotëron, u konsideruan të besueshme.
Komisioni e ka shtrirë hetimin në pronat fillestare të familjes dhe rezultatet janë gjetur në harmoni me deklarimet e prokurorit Arben Qosja dhe provat e administruara gjatë hetimit. Qosja u vlerësua pozitivisht edhe për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.
Në vitin 2005, prokurori Qosja ka blerë një apartament në Tiranë, për vlerën 59 mijë euro. Në deklaratën veting, ai ka shënuar si burime krijimi vlerën e përfituar nga shitja e apartamentit në pronësi të nënës D. Q. në gusht të 2005-ës për çmimin 3.8 milionë lekë; kursime nga paga pa një vlerë të përcaktuar dhe huamarrje në vitin 2006 në masën 20 mijë euro nga shtetasi N.S., pa kontratë, pa interes dhe pa afat.
Ndërkohë, në vitin 2005 ai e ka deklaruar vlerën e shitjes së apartamentit nga nëna në shumën 2 milionë lekë, vlerë kjo që pasqyrohet edhe në kontratën e shit-blerjes. Në deklaratën e po atij viti, Qosja ka pasqyruar lidhjen e kontratës paraprake dhe pagimin e vlerës prej 10 mijë euro nga çmimi total prej 59 mijë euro për apartamentin e ri, por nuk ka deklaruar në rubrikën përkatëse detyrimin e mbetur ndaj shoqërisë shitëse.
Në 2006-ën, ka deklaruar ribërjen e kontratës së porosisë, lidhur me ndryshimin e sipërfaqes së apartamentit nga 99.8 m2 në 83.4 m2, si dhe ndryshimin e çmimit nga 59 mijë euro në 53 mijë euro, por nuk ka pasqyruar ndonjë pagesë të kryer ndaj shoqërisë shitëse.
I pyetur lidhur me burimin e ligjshëm për secilën nga pagesat, Qosja ka sqaruar se për shlyerjen e këstit të parë në vlerën 10 mijë euro në qershor të 2005-ës, ka përdorur kursimet e familjes të krijuara ndër vite. Ai ka pretenduar se ka pasur mundësi kursimi pasi për mbulimin e nevojave të tjera janë përdorur të ardhurat e realizuara nga shitja e kryer në vitin 1999 të dy pasurive të paluajtshme në emër të nënës së tij, në shumën totale 1,4 milionë lekë.
Qosja ka pranuar se për shkak të mungesës së eksperiencës, nuk e ka deklaruar në vitin 2003 gjendjen cash në shumën përafërsisht 1.3 milionë lekë deri në 1.4 milion lekë. Ai ka shtuar se një vit më vonë nuk i ka deklaruar kursimet cash për shkak se nuk kishte pasur ndryshim të vlerës që dispononte
Komisioni nuk e ka përfshirë në analizën financiare gjendjen cash për shkak të mospasqyrimit të kësaj vlere në deklaratat periodike dhe prokurori Qosja ka rezultuar në pamundësi financiare në shumën 850 mijë lekë për pagesën e këstit të parë.
Për pagesën e këstit të dytë në vlerën 25 mijë euro të kryer në nëntor të vitit 2005, subjekti ka këmbëngulur se janë përdorur të ardhurat nga shitja e apartamentit nga nëna e tij në Tiranë, në vlerën 3,8 milionë lekë.
Fillimisht, Komisioni ka analizuar burimet e krijimit të apartamentit të shitur nga nëna në vitin 2005. Gjatë procesit të rivlerësimit, Qosja ka shpjeguar se apartamenti me sipërfaqe 50 m2 në Tiranë, ishte blerë prej nënës në vitin 1997 për shumën 2 milionë lekë dhe si burime kishin shërbyer kursimet familjare dhe shuma 1.3 milion lekë si kompensim për shembjen e apartamentit që zotëronin prindërit në Peshkopi, të përfituar nëpërmjet privatizimit në vitin 1993.
Komisioni evidenton se janë vërtetuar me dokumentacion ligjor deklarimet e subjektit të rivlerësimit lidhur me dy apartamentet që ka zotëruar familja e tij si dhe transaksionet e kryera. Gjithashtu, ka rezultuar se familja e subjektit kishte pasur mundësi për blerjen e apartamentit në Tiranë në vitin 1997.
Në vijim KPK ndalet në diferencën mes çmimit 2 milionë lekë që pasqyrohet në kontratën e shitjes së këtij apartamenti dhe vlerës 3.8 milionë lekë të pretenduar nga prokurori Qosja. Nga hetimi ka rezultuar se detyrimet tatimore janë paguar vetëm për shumën 2 milionë lekë.
“Por, nga ana tjetër është konstatuar se në llogari të nënës së subjektit të rivlerësimit, znj. D. Q., pranë ‘Credins Bank’, në të njëjtën datë me nënshkrimin e kontratës së shitblerjes 1.8.2005, është transferuar shuma prej 3,800,000 lekësh nga znj. A. V. (njëri prej blerësve të apartamentit) me përshkrimin ‘shlyerje detyrimi personal’”, konstaton KPK.
Nga verifikimi i lëvizjeve në llogaritë bankare, ka rezultuar se shuma prej 3,8 milionë lekësh është vendosur nga nëna e subjektit në depozitë me afat 1-mujor dhe e gjithë kjo vlerë është tërhequr prej saj një ditë përpara se prokurori Qosja të paguante këstin e dytë në shumën 25 mijë euro.
Qosja ka sqaruar se veprimet janë kryer nga nëna e tij, duke qenë se apartamenti ishte i regjistruar në emër të saj. Sipas tij, palët kanë rënë dakord se vlera e banesës do të ishte 3,8 milionë lekë, ndërkohë që çmimi i vendosur në kontratë mund të jetë propozuar nga noteri apo nga pala blerëse.
Ai ka dorëzuar si provë një kopje të gazetës “Çelësi” të datës 2 korrik 2005, nga ku është konstatuar se në publikimin për shitje të apartamentit në fjalë, vlera ishte përcaktuar 4 milionë lekë, i diskutueshëm.
Qosja ka depozituar një deklaratë noteriale të blerësve, e gushtit 2020, ku ata shprehen se çmimi real i paguar prej tyre ishte 3.8 milionë lekë. Gjithashtu, subjekti ka depozituar dokumentacion për pagesë e tatimit për diferencën prej 1,8 milion lekësh.
Komisioni ka verifikuar vlerën e apartamentit 50 m2 bazuar në vlerën mesatare të tregut, pre nga ka rezultuar se çmimi në vitin 2005 do të ishte 3 milionë e 857 mijë lekë, thuajse i njëjtë me atë të deklaruar nga subjekti.
Duke mos konsideruar vlerën 1.8 milionë lekë, ka rezultuar balancë negative në shumën 903 mijë lekë për këstin e dytë. Për këstin e tretë nuk janë gjetur probleme, pasi është vërtetuar mundësia e huadhënësit për të kursyer vlerën 20 mijë euro.
/GazetaReforma.com/