E njohur për rebelimin e saj ndaj vendimit të qeverisë “Rama”, për mbajtjen me detyrim të maskave, për të cilën është gjobitur disa herë nga policia, sot Monika Kryemadhi e ka “dredhur”.
Ajo është parë të vendosë në fytyrë një maskë të kuqe me logon e LSI-së, të paktën gjatë kohës që ka ardhur për të votuar në selinë qendrore të partisë së saj, në njësinë Nr. 5 në Tiranë, për t’u rikonfirmuar si kryetare e kësaj force.
“Sot dhashë një votë si të gjithë anëtarët e tjerë. Shoh shumë gra në listë, kanë ardhur vajza në LSI e janë bërë nëna, shoh edhe shumë të rinj. Garoj për tu rikonfirmuar, por po pres me padurim zgjedhjen e ekipit drejtues që do dalë nga ky proces.
Ekipi që do drejtojë LSI në misionin kombëtar për t’ju dhënë shqiptarëve punësim, arsim cilësor, ulje kosto jetese dhe cilësi. Fitorja e LSI do jetë e jashtëzakonshme, është fitorja e të rinjve dhe të rejave”,- tha ajo.
Kryemadhi vlerësoi pjesëmarrjen e jashtëzakonshme në këto zgjedhje, por ra në sy të mediave fakti që ajo po mbante maskë.
Ajo shtoi se nuk ia kishte “mbledhur” policia, por partia që ta mbante. Pavarësisht kësaj, Kryemadhi bëri sërish thirrje se, maskën duhet ta mbajë kush beson dhe jo nga frika.
“Me sa duket partia ma mbledh, jo njeri tjetër. Unë përsëri vazhdoj të mendoj që maska mbahet në ambiente të mbyllura, ta mbajnë se besojnë dhe jo se i kërcënojnë.
Sot duhet t’i ofrojmë shqiptarëve forcë, optimizëm, ata nuk i mund korona, as varfëria. Ata brenda vetes kanë dashuri, solidaritet lidhje dhe forcë me njëri-tjetrin”,- sqaroi ajo.
/GazetaReforma.com/