Ishte marrëzia keqdashëse e falsifikimit të tamponëve të koronavirusit nga klinika dhe mjekë të papërgjegjshëm shqiptar, për ata që kalonin kufirin për në Greqi, që detyroi autoritetet e kësaj të fundit të mbyllin sot pikën kufitare të Kapshticës.
Vendimi i qeverisë greke për të mbyllur doganën e Kapshticës më datë 20 nëntor, në kuadrin e masave kundër pandemisë, ka krijuar problemet e para.
Dhjetëra kamionë janë bllokuar në këtë doganë dhe shoferët thanë se, nuk ishin njoftuar, pasi ata, ndryshe nga udhëtarët, gjithmonë kanë punuar edhe në kësi bllokimesh.
Vendimi i qeverisë greke ka ardhur pasi qyteti i parë pas Kapshticës, Selaniku, po shënon për të disatën ditë rresht, një numër rekord infektimesh në gjithë Greqinë, duke tejkaluar edhe Athinën që ka trefishin e popullsisë së tij.
Sipas shifrave të përditshme të botuara nga Organizata Kombëtare për Shëndetin Publik (EODY), Selaniku përbënte 774 të totalit në të gjithë Greqisë të enjten prej 3227 rasteve të reja të koronavirusit.
Kjo ishte më shumë se 646 raste të reja që pati Attica, e cila ishte gjithashtu shifër e lartë për kryeqytetin grek.
Dje, Ministria për Evropën e Shqipërisë, njoftoi se Qeveria greke, përmes zëdhënësit qeveritar, Stelios Petsas, njoftoi në lidhje me hyrjet në rrugë tokësore të udhëtarëve drejt Greqisë, përfshirë pikat kufitare me Shqipërinë.
Ndërkohë sot Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit në Korçë, me anë të një njoftimi bën me dije se, pala greke e ka informuar se do ta mbyllë pikën kufitare në Kapshticë nga sot, datë 20.11.2020 prej orës 06.00 deri më datë 04.12.2020.
Sipas policisë, shkak për këtë mbyllje nga pala greke është bërë shtimi i rasteve me koronavirus në veri të Greqisë.
Policia bën thirrje ndaj qytetarëve që të shmangin kalimin nga kjo pikë kufitare drejt shtetit grek.
Njoftimi i policisë:
Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit Korçë.
Stacioni i Policisë Kufitare Kapshticë:
Autoritetet e Policisë Greke, në bazë të një njoftimi zyrtar që i kanë dërguar Policisë Kufitare Kapshticë, sqarojnë se në zbatim të vendimit të qeverisë greke për marrjen e masave, mbi përballimin e situatës së krijuar për shkak të pandemisë COVID-19, prej datës 20.11.2020, ora 06:00 e mëngjesit, deri në datën 04.12.2020, Pika e Kalimit Kufitar Kapshticë, do të jetë e bllokuar dhe nuk do të lejohet lëvizja e këmbësorëve dhe e mjeteve (vetura, autobusa dhe kamiona) si në hyrje dhe në dalje të Greqisë.
Policia Kufitare e Kapshticës, iu bën thirrje të gjithë qytetarëve që duan të udhëtojnë drejt Greqisë, që gjatë këtij harku kohor, të shmangin udhëtimin në drejtim të kësaj pike kalimi.
Përgjatë aksit rrugor Korçë-Kapshticë, do të ketë forca policie të cilat do të mbikqyrin situatën dhe nuk do të lejojnë kalimin e mjeteve, në drejtim të Kapshticës.
Duke ju falenderuar për bashkëpunimin.
/GazetaReforma.com/