Greqia po përballet me valë në rritje të rasteve të infektimeve me Covid-19. Sipas autoriteteve shëndetësore në Greqi, gjatë 24 orëve të fundit rezulton se janë konfirmuar pozitiv me Covid, 3 227 raste të reja dhe kanë humbur jetën 59 persona.
Nga fillimi i pandemisë numri i përgjithshëm i të infektuarve me Covid në Greqi ka shkuar në 85 261 persona mes të cilëve kanë humbur jetën 1,347.
Pavarësisht masave parandaluese të marra nga Athina zyrtare për sa i takon pandemisë në Greqinë fqinje, asgjë nuk po e ndalon shtimin e rasteve të reja të raportuara në vend.
Edhe dje u raportuan mbi 3200 raste të reja dhe 60 viktima. Situata paraqitet më e rëndë në Greqinë Veriore, kryesisht në Selanik. Në këtë qytet, izolimi ka nisur më herët se në rajonet e tjera.
Për momentin në Greqi, që prej së hënës së kaluar janë mbyllur dhe shkollat, një masë e kundërshtuar gjerësisht në popull, por sikurse tha kryeministri Mitsotakis, duhet të sakrifikojmë diçka me qëllim që t’ia hedhim sa më shpejt.
Kufizimet e vendosura do të zgjasin deri më 30 nëntor, por do të shihet si do të vijojë situata. Mitsotakis ka deklaruar se Lock-Doën do të jetë i ngjashëm me atë të marsit, por me disa ndryshime teksa shtoi se të vetmet që do të rrinë hapur janë strukturat shëndetësore, farmacitë, pikat e karburanteve, kopshtet, shkollat fillore dhe institucionet edukuese të veçanta kurse shkollat e mesme dhe të larta vijojnë mësim online.
Po ashtu Mitsotakis ka njoftuar dhe masat ekonomike, teksa ka informuar se ata që janë të papunë prej një kohe të gjatë do të ndihmohen deri në dhjetor me pagë 534 euro kurse ata që dalin të papunë këtë muaj me nga 800 euro secili.
/GazetaReforma.com/