Gjykata e Tiranës ka bërë me dije se ka pushuar akuzën për 5 individët e arrestuar në lidhje me çështjen e “Toyota Yaris”, ku u kapën 3.4 milion euro.
Ndërkohë Prokuroria nuk e ka pranuar këtë vendim, duke e dërguar çështjen në Gjykatën e Apelit.
Si pasojë, akuza për çështjen e “Toyota Yaris” është pushuar për individët:
Agim Ceka, Alfred Vladi, Edi Lika, Klevi Cani dhe Alban Mollaymeri.
Po ashtu pjesë e këtij grupi është edhe Ervis Vladi, i cili është i vetmi i akuzuar. Gjyqtari Artan Gjermeni e ka çuar Vladin në gjyq për akuzën e “Mosdeklarimit të të hollave në kufi”.
Kujtojmë se gjatë qershorit të 2018-tës, janë sekuestruar dy makina “Toyota Yaris”, në Portin e Durrësit, të ardhura nga jashtë shtetit. Gjatë sekuestrimit, brenda dy Toyotave u gjendën 3 milionë e 470 mijë euro.
Dosja e “Toyota Yaris”, bëri “xhiron” e shumicës së gjykatave të rretheve, pas shkrirjes së krimeve të Rënda , mirëpo nuk u bë asnjëherë pjesë e dosjeve të SPAK, për shkak të makinacionit të rrëzimit të akuzës për “grup të strukturuar kriminal”.
Sakaq Prokuroria e Tiranës ka kërkuar nga Gjykata e Apelit që të rrëzojë vendimin e shkallës së parë në lidhje me këtë çështje. Pas kërkesës së Prokurorisë së Tiranës, do të jetë gjyqtari i Apelit ai që do të pranojë vendimin e Gjykatës së shkallës së parë për pushimin e akuzës për 5 nga 6 të arrestuarit, apo do të kërkojë rihetim. /Gazetareforma.com/