John Clint Williamson, ish-kryeprokuror i EULEX tregon se ka hetuar për “Shtëpinë e Verdhë” në Kosovë dhe në Shqipëri. Duke folur për RTV Ora, ai vlerëson ish-kryeministrin e asaj kohe Thaçin për bashkëpunimin me drejtësinë ndërkombëtare. Ai pohoi se ka qenë në Shqipëri gjatë hetimeve mbi këto akuza, por nuk ka qenë asnjëherë te “Shtëpia e Verdhë”.
“Unë nuk kam qenë në Shtëpinë e Verdhë dhe nuk mund të flas personalisht drejtpërdrejt për këtë gjë. Është e vështirë për mua të flas për ndonjë provë specifike që mund të ndërhyjë në mbarëvajtjen e procesit gjyqësor pasi kjo është një çështje në shqyrtim. Fatkeqësisht unë nuk jam në gjendje të komentoj për gjera kaq specifike, por ama jam i lumtur të flas në përgjegjësi për karakterin e kësaj çështjeje. Për çdo gjë që lidhet me provat që u mblodhën gjatë hetimit të çështjes do të tregohet gjatë procesit gjyqësor nga prokurori i çështjes dhe siç e thashë, është e papërshtatshme për mua të komentoj mbi një temë të tillë”, tha ai.
John Clint Williamson tha se gjatë gjatë vizitave në Shqipëri nuk ka kryer ndonjë hetim. “Unë kam marrë pjesë në takime me qeverinë, bashkësinë diplomatike. Pra nuk kam kryer hetime në terren. Dhe gjithashtu nuk kam qenë as në Kosovë gjatë periudhës që isha kryeprokuror. Unë padyshim e kam mbikëqyrur hetimin, kisha informacion mbi të dhe isha i informuar mbi të gjitha dëshmitë që prokurorët dhe hetuesit që punonin për mua po mblidhnin. Por, personalisht nuk isha i përfshirë në hetim”, deklaroi ish-kryeprokurori.
“Autoritetet shqiptare dhe kosovare ishin shumë bashkëpunuese. Ata e njohën detyrimin e tyre ndërkombëtar dhe faktin se si shtete europiane duhej të angazhoheshin në ketë proces. Padyshim që për qeverinë e Kosovës kjo nuk ishte diçka e thjeshtë për ta bërë. Duhet vlerësuar ish-kryeministri Thaçi. Ai e kuptoi që ishte përmendur në raportin e Dick Marty dhe me shumë mundësi ishte një i dyshuar në hetim. Pra ne të dy nuk kemi pasur ndonjë kontakt direkt gjatë kohës time si kryeprokuror. Por ai caktoi zyrtarë të tjerë të qeverisë, të punonin me ne. Kishim marrëdhënie shumë të mira pune me njëri-tjetrin. Shumë profesionale, ndonëse për ta nuk ishte një gjë e thjeshtë për ta bërë. Të njëjtën gjë mund të them dhe për qeverinë e Shqipërisë. Ata u treguan shumë profesionistë në detyrat që ju caktoheshin, ndonëse mund të mos ishin detyra të këndshme”, përfundoi ish-kryeprokurori i EULEX.
/GazetaReforma.com/