Gruaja 42-vjeçare e cila mashtronte dyqanet duke u hequr si punonjëse policie dhe nuk bënte pagesën është lënë në burg nga Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë .
Elvira Lami i ka mohuar të gjitha akuzat në gjykatë dhe është shprehur se nuk e dinte se përse ishte atje.
Prokurori i çështjes, Julian Zonja ka kërkuar caktimin e masës arrest me burg të saj. Sipas konstatimit të prokurorit, ajo ka mashtruar një biznesmen, duke krijuar besimin tek ai dhe marrë bizhuteri deri në vlerën 150.000 lekë duke u justifikuar se kishte një problem me bankën.
Historia:
“Në drejtorinë vendore të policisë Tiranë është paraqitur S.J., i cili ka kallëzuar shtetasen Elvira Lami, duke pretenduar se ajo me anë të mashtrimit i ka përvetësuar 100.000 lekë. Shtetasi punon prej katër viteve në biznesin e tij familjar argjendari e ndodhur në rrugën e Durrësit, Tiranë. Shtetasja Elvira Lami ka marrë bizhuteri floriri tek dyqani i tij duke mos bërë pagesën. Në muajin maj të vitit 2020 shtetësja Elvira Lami ka ardhur tek dyqani e shoqëruar me një shtetas dhe shtetase tjetër ku është prezantuar si punonjëse e policisë së shtetit dhe si kliente e mëparëshme e dyqanit ekzistues. Po atë ditë ajo ka bërë porosi disa bizhuteri dhe i ka thënë që do t’i merrte në një kohë të dytë. Në fillim të muajt korrik ajo ka shkuar e pashoqëruar dhe përveç porosive që kushtonin 400.000 ajo mori edhe bizhuteri të tjera duke shkuar e gjitha në total në 150.000. Aji i ka thënë që pagesën do ta sillte në momentin që do të zgjidhte problemin në bankë.. Duke krijuar një farë besimi tek Elvira ai i ka thënë që ta sillte pagesën kur të zgjidhte problemin e bankës”, shkruhet në konstatimin e prokurorit.
Ajo u arrestua në flagrancë para dy ditësh pas denoncimeve të disa pronarëve të dyqaneve se gruaja u merrte produkte me mashtrim duke thënë se do i paguante në një moment të dytë. 42-vjeçarja kishte edhe pasaportë false diplomatike, distinktiv dhe dokumente të tjera institucionesh.
Lani u prezantohej shitësve në dyqane të ndryshëm, herë si punonjëse policie e herë si bashkëshortja e një zyrtari të lartë në Policinë e Shtetit. Nëpërmjet këtyre mashtrimeve, gruaja 42 vjeçare ka mobiluar pjesërisht banesën, si dhe ka përfituar sende e bizhuteri në vlera të mëdha parash.
Tre ditë më parë, Lani u arrestua nga efektivë të sektorit të krimit ekonomik e financiar në kuadër të operacionit të koduar “Premtimi”, ku iu sekuestrua edhe një radio si të policisë.