Pedagogët e mbledhur së bashku janë shprehur se nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre brenda një jave, protesta do të agravojë deri në grevë. Për këtë deklaratë ka reaguar edhe zv.Rektorja e Universitetit të Tiranës, Gentiana Kera, nga studio e “Kjo Javë”.
Sipas Keras ky nuk është një vendim që merret dhe jepet sot për nesër pasi fillimisht duhet të analizohet, megjithatë sipas saj vet Senati i Universitetit të Tiranës është përkrah studentëve dhe i mbështet kërkesat e tyre.
Në fjalën e saj, zv.Rektorja, ka thënë se qeveria ka vullnet të plotë në marrjen e masave rreth kërkesave që pedagogët kanë.
“Ligji nuk mund të shfuqizohet sot për nesër, duhet një kornizë ligjore, ajo që u shpreh në diskutime është se qeveria ka vullnet të plotë për marrjen e masave, për krijimin e një kornize të re ligjore dhe që do bëhet me të gjitha grupet e interesit. Pedagogët e UT kanë pasur mundësi të shprehen edhe me shkrim, për hir të së vërtetës nëse do konsideroheshin të rëndësishme disa pr/ligje në të kaluarën ne nuk do t’i kishim sot disa prej problemeve që kemi”,- ka sqaruar Gentiana Kera.
Sjellim në vëmendje se qevria ka afat deri në datën 1 shkurt për të realizuar kërkesat e pedagogëve, të cilat janë:
1.Mbështetje të protestës së studentëve
2.Shprehjen kundër Ligjit për Arsimin e lartë
3.Anulimin e menjëhershëm të VKM-ve të datës 26 dhjetor
4.Kërkojmë rritjen e buxhetit për arsimin publik
5.Ndalimi e denigrimit të figurës së pedagogëve