Pas një kalvari të gjatë me greva dhe protesta, duket se naftëtarët e ish-Uzinës së Ballshit, do të bien në një kompromis me qeverinë e cila përflitet se i ka joshur me disa premtime.
Kryeministri Rama ka shkuar sot në bashkinë e Fierit për të zhvilluar takimin me naftëtarët.
Këta të fundit janë të gatshëm për zgjidhjen që u dha kryeministri, në lidhje me pagat. Ditën e hënë kryeministri propozoi një pagë të ndërmjetme për gjithë naftëtarët, deri në rifillimin e punës së rafinerisë.
Një përfaqësi prej 8 naftëtarësh hynë në takim me kryeministrin.
Naftëtarët pak ditë më parë lanë grevën e urisë e cila pas asaj të burrave u pasua nga greva e urisë së grave naftëtare.
Por pasi u dakordësuan me qeverinë, për një pagë të ndërmjetme apo “zgjidhje financiare”, deri në gjetjen e një operatori të ri për rafinerinë e naftës në Ballsh, naftëtarët do të diskutojnë me kryeministrin.
Për pagat e prapambetura nuk pati garanci dhe naftëtarët do të vijojnë betejën ligjore në instancat më të larta.
Po ashtu disa ditë më parë u zhvillua takimi i parë mes Ramës dhe përfaqësisë, nga i cili naftëtarët dolën të pakënaqur. Ndërsa sot, në Kuvend, komisioni miratoi fondin për pagat e naftëtarëve.
/GazetaReforma.com/