“Po shoh që po i përforcojnë kolonat e hekurit! Po pres se çdo bëjnë…”. Para dritares së saj ngrihet betoni i lokalit të Irfan Hysenbelliut tek ish-blloku. Edhe pak dhe përpara apartamentit të Fatma Mesitit nuk do të hyjë më drita dhe pamja do të jetë një mur i lartë. Ajo vazhdon të denoncojë, por policia bën lojën sikur nuk i kap dot ndërtuesit e shtesës së Piceri Baluxit.
“Megjithëse është bllokuar puna nga policia, ata përsëri nuk pyesin! Pra ja ku po jetojmë. Unë shkova në punë se kisha diçka urgjente, por më lajmëruan njerëzit e mi se këta po fillonin punën sërish.
Sa njoftoj policinë ata ndalojnë, më pas kur bien në qetësi fillojnë prapë! Si mundet të ndodhi kjo në mes të Tiranës? Ku po jetojmë kështu?”, shprehet e shqetësuar sërish ditën e sotme qytetarja Fatma Mesiti.
Policia më tha që sa të shohësh që po vendosin vida dhe po punojnë, të lajmëroj policinë që t’i kapin në flagrancë.
I kanë hequr profilet e hekurit, për ta shtruar poshtë mesa duket, dhe më pas do vendosin ato që janë si tip dritaresh”, tregon zonja Mesiti e revoltuar.
Duke folur për Gazetën Reforma, qytetarja Fatma Mesiti, deklaroi më parë se biznesmeni Irfan Hysenbelliu, bashkë me vëllain e tij Bardhyl Hysenbelliun, po ngrenë katin e dytë të lokalit “Balux” duke i zënë dritaret pallatit. Ajo u shpreh se kati i dytë do të bëhet një piceri.
Pas denoncimit të rastit edhe në autoritetet përkatëse si tek Policia Bashkiake, deputeti i zonës Pandeli Majko, drejtori i IKMT-së, Maringlen Qato, Policisë së Rendit, si dhe deri tek vetë kryeministrit Rama, puna për katin e dytë të lokalit “Balux” u pezullua.
Mirëpo gjatë këtyre dy ditëve të fundit, zonja Mesiti është shprehur e shqetësuar se punëtorët janë vënë sërish në lëvizje.
“Po të ishte policia e pavarur, Irfani me të vëllain duhet të gjobiteshin se pse nuk zbatojnë urdhërin policisë dhe IKMT-së… domethënë deri tani ata më ruajnë mua dhe frikësohen nga unë që po i jap zë problemit në media, por nuk i frikësohen organeve kompetente. Pra po të kisha sjellë unë nja tre burra këtu, atëherë do plaste lufta dhe sherri do të bëhej vetëgjyqësi? Pse ky është shteti ? Shteti bën një sy qorr dhe ata vazhdojnë, ndërkohë që duhet që ligji të zbatohet për të gjithë njësoj”, ka deklaruar denoncuesja.
Ndërtimi tek ish-Blloku
Kujtojmë se denoncuesja është shprehur më herët për GazetaReforma se punimet për këtë ndërtim kanë filluar që në verën e kaluar, duke shtuar e shqetësuar se ka bërë disa herë ankesa në organet kompetente dhe tentativa për ta bllokuar.
Qytetarja ka theksuar se përgjatë gjithë kësaj kohe ku tentoheshin punimet, ajo ka parashtruar ankesa edhe në Policinë e Shtetit, por sipas saj me disa “pauza” të vogla, punimet kanë filluar sërish edhe pse nga autoritetet u dha garancia që në atë zonë nuk do të bëhej asnjë ndërtim!
Zonja Fatma Mesiti ka shpjeguar gjithashtu se deri në vitin 1998’-të, zona përpara pallatit ka qenë lulishte, dhe se biznesmeni Hysenbelliu duhet të hetohet se në çfarë mënyre e ka marrë lejen e ndërtimit në këtë zonë dhe se si ky i fundit është pajisur me dokumente pronësie për të ndërtuar përpara një pallati 52-vjeçar dhe unikal në llojin e tij në zonën më të kushtueshme të Tiranës.
Sipas denoncueses, sipërmarrësi Hysenbelliu e ka zaptuar hapësirën ku më parë ishte një lulishte dhe një shatërvan dhe më pas bëri një planimetri projekt me dy profile.
Mesiti është shprehur më parë për Gazetën Reforma se pas 2 muajsh bllokim, punimet kanë rinisur sërish për shtesën e lokalit “Balux”.
Zonja Mesiti ka kërkuar ndihmën e mediave dhe të autoriteteve për të ndaluar këtë masakër që po bëhet në qendër të Tiranës.
Ndër të tjera qytetarja tha se edhe parkingu pas pallatit, është zaptuar nga biznesmeni Irfan Hysenbelliu i cili deri në vitin 2015-të e ka përdorur atë hapësirë pa letra dhe pa paguar taksë.
Sipas zonjës Mesiti, sipërmarrësi e përfitoi më pas lejen për parkingun në mënyrë të dyshimtë.
Zonja Fatma Mesiti i ka bërë apel mediave që ta ndihmojnë në lidhje me këtë skandal, pasi sipas saj autoritetet bëjnë “një sy qorr dhe një vesh shurdh” përpara influencës së biznesmenit Hysenbelliu./GazetaReforma.com/