Koronavirusi po përhapet me shpejtësi në vendin tonë dhe jo vetëm. Mes të infektuarve ka edhe futbollistë apo pjesëtare të klubeve të ndryshme të futbollit.
Rastet kur trajnerët e ekipeve janë infketuar me Covid-19 janë të shumta dhe kjo duket se ka ndikuar edhe në paraqitjen e lojtarëve në fushën e blertë.
Ditën e djeshme u njoftua se trajneri zviceran i Kombëtares kosovare, Bernard Challandes dhe njëri nga pjesëtarët e tjerë të stafit (menaxheri i pajisjeve) kishin rezultuar pozitiv me Covid-19 në testet që kishin kryer. Kjo mungesë e trajnerit kryesor të skuadrës duket se pati ndikim edhe në lojën e futbollistëve. Pasi dardanët nuk arritën të tregojnë anën e tyre më të mirë të mundshme edhe pse në një ndeshje miqësore.
Ndërsa e kundërta ndodhi ditën e sotme me Kombëtaren U21 e cila drejtohet nga Alban Bushi i cili edhe ai rezultoi pozitiv me Covid-19. Djemtë 21-vjeçarë nën drejtimin e një ndër fugurave më të njohura të Kombëtares shqiptare, Dzemal Mustedanagiç fituan në ndeshjen miqësore përballë 19-vjeçarëve nga Akademia e Futbollit.
Në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Nexhip Trungu” në Cërrik, për kuqezinjtë shënuan sulmuesi i Tiranës, Ernest Muçi dhe sulmuesi i Lokomotivës së Zagrebit, Indrit Tuci.
Kjo miqësore u zhvillua në prag të dy sfidave të rëndësishme për kuqezinjtë e Bushit, që luajnë dy ndeshjet e fundit të eliminatoreve të Euro 2021, ndaj Kosovës më 13 nëntor dhe më 17 nëntor ndaj moshatarëve të Anglisë.
E njëjta gjë ndodhi dhe me një ndër ekipet e Kategorisë Superiore në vendin tonë. Sot Kukësi u përball me kavajsit e Besës por pa praninë e trajnerit tyre teknik, Skënder Gega. Prej disa ditësh trajneri Gega kishte munguar në stërvitjen e djemve të tij por khjo gjë nuk ka ndikuar në paraqitjen e tyre fizike në fushë. Ata arritën të fitojnë sot ndaj Besës me rezultatin 2-1 dhe kjo fitore ishte për trajnerin.
“Klubi i Kukësit njofton se trajneri Skënder Gega ka rezultuar pozitiv në tamponin e kryer për Covid 19!
Trajneri Gega prej 4 ditësh ka ndjerë simptomat e para të virusit dhe ka munguar në stërvitje për të shmangur çdo kontakt me ekipin duke u vetëizoluar në shtëpi, ndërsa ditën e djeshme ka kryer tamponin dhe nga përgjigja që mori ditën e sotme, ai rezultoi i prekur nga Corona Virus.
Klubi i Kukësit i uron shërim dhe rikthim sa më të shpejtë trajnerit Gega. Të presim më të fortë profesor. Kjo fitore ishte për ty”,thuhet në në njoftimin e klubit të Kukësit.