Korabi ka befasuar Tiranën duke e eliminuar nga “Kupa e Shqipërisë” me nje gol të shënuar në minutën e 119 nga Skuka.
Në sfidën e zhvilluar në stadiumin “Skënder Halili”, bardheblutë vuajtën të gjejnë golin e avantazhit dhe koha e rregullt u mbyll në barazim 0-0, duke bërë që gjithçka të shkojë në shtesë.
Pikërisht në minutën e 119’ ishte futbollisti i dibranëve, Skuka që shënoi në portën e Tiranës dhe i dha kualifikimin e bujshëm Korabit, ndërsa bardheblutë eliminohen me turp nga një kompeticion të cilit një vit më parë i kishin shkuar deri në finale.
Një tjetër ekip i superiors është eliminuar në këtë raund dhe është Bylis që u mposht nga Dinamo.
Mallakastriotët kaluan të parët në avantazh me anë të Anthony Beji në pjesën e parë, ndërsa dinamovitët barazuan me anë të Xhixhiua, duke bërë që koha e rregullt të mbyllej në barazim 1-1.
Në kohën shtesë prej 30 minutash, ishte braziliani Da Silva që pas një aksioni të shpejtë të kryeqytetasve, dribloi portierin Pano Qirko dhe u ndal me faull nga ky i fundit, ndërsa arbitri akordoi 11-metërsh. Ishte vetë braziliani më pas që ekzekutoi gjuajtjen nga pika e penalltisë dhe shënoi golin që vlen kualifikimin në çerekfinale për Dinamon.