Këtë vit jo vetëm që vendi nuk ka bërë progres në sektorët kryesor të tij, por në Shqipëri është rritur niveli i korrupsionit, informalitetit, keqqeverisjes, si dhe ka rënë efektshmëria e gjykatave.
Të paktën e këtij mendimi është Banka Europiane për Rimdërtim dhe Zhvillim, e cila si një prej financueseve kryesore të projekteve të zhvillimit dhe programeve qeveritare, bën edhe sondazhe apo studime mbi vendet që krediton.
Pikërisht në raportin më të fundit, atë “Për tranzicionitn”, BERZH-i këtë vit është përqendruar në rëndësinë që ka roli i shtetit për shkak edhe të krizës së Covid-19.
Por nga ajo që Banka Eueropiane ka konstatuar për Shqipërinë, ka vërejtur një përkeqësim në treguesit kryesorë që nga mirëqeverisja në vend, eficienca e gjyqësorit, dhe deri tek perceptimi i korrupsionit dhe stabilitetit politik.
Kjo përbën një “grusht nën brez” sidomos për qeverinë “Rama” e cila prej disa vitesh po përpiqet që të kryejë reformën në drejtësi, që pritet të ulë korrupsionin dhe të përmirësojë qeverisjen.
Indeksi i tranzicionit
BERZH-i përllogarit në këtë raport indeksin e vlerësimit të cilësive të tranzicionit për 6 tregues, konkurrueshmërinë, mirë-qeverisjen, ekonominë e gjelbër, gjithëpërfshirjen, rezistencën dhe integrimin.
“Pikët e ATQ për qeverisjen kanë rënë në Shqipëri, Mongoli, Poloni, Turqi dhe Ukrainë, me përkeqësim domethënës të konstatuar në aftësinë e gjykatave, dhe në perceptimin e korrupsionit dhe stabilitetit politik (Shqipëria, Mongolia, Polonia, Turqia dhe Ukraina)”,- thuhet në raport.
Pikët renditen nga 1 në 10, ku 10 përfaqëson nivelin më të lartë që i korrespondon standardeve të një ekonomie të qëndrueshme tregu.
Sipas vlerësimit të BERZH, pikëzimi për mirëqeverisjen e Shqipërisë ra nga 5.16 në vitin 2019, në 4.5 në 2020, duke qenë vendi i dytë me qeverisjen më të keqe në Europen Juglindore, pas Bosnjë Hercegovinës (3.98).
Pikët më të larta në rajon për mirëqeverisjen i merr Mali i Zi (6.27).
Ekonomia e gjelbër
Krahas mirëqeverisjes, Shqipëria paraqitet më dobët se rajoni edhe në ekonominë e gjelbër, gjithëpërfshirjen dhe rezistencën, ndërsa është afër mesatares rajonale për konkurrueshmërinë dhe integrimin.
Sipas raportit, gjatë periudhës 2016-2020, rezultatet për efektivitetin e gjykatave dhe pavarësinë e gjyqësorit kanë rënë në shumë vende.
Në të kundërt, rezultatet për qeverisjen elektronike, mbrojtja e të drejtave të pronës dhe zbatimi i kontratave janë përmirësuar në përgjithësi.
Shumë vende kanë vazhduar të ecin përpara me reformat në lidhje me qeverisjen, veçanërisht në lidhje me politikat anti-korrupsion, përputhjen me standardet e luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, qeverisjen e ndërmarrjeve shtetërore dhe dixhitalizimin e shërbimeve qeveritare.
file:///C:/Users/User/Downloads/transition-report-202021-how-big-is-the-state%20(1).pdf
/Burimi: ebrd.com/Përshtati: GazetaReforma.com/