Padyshim një nga ministritë më të diskutuara është ajo e Arsimit, sidomos pas ultimatumit që dhanë sot pedagogët.
Megjithatë e ftuar në “Zonë e Lirë”, Ministrja e re e Arsimit, Besa Shahini është shprehur për takimin e sotme të pedagogëve se nëse kanë probleme me ligjin e arsimit, ajo është e gatshme të ulet dhe të bisedojë. Ditën e sotme pedagogët kanë thënë se në rast se brenda një jave nuk rrëzohet Ligji për Arsimin e Lartë, protesta do të përshkallëzojë në grevë dhe për këtë deklaratë ministrja është shprehur kështu:
“Besoj janë njerëz të zgjuar dhe nuk e kanë thënë këtë sepse të rrëzohet një ligj nuk do një javë, por 2 vjet. Këta janë njerëz që dinë aq, kanë aq njohuri ligjore sa të mos ta thonë diçka të tillë. Unë jam e hapur që të diskutohet për ligjin dhe të gjenden problematikat”.
Këto fjalë duken të menduara mirë dhe absolutisht një ofertë e mirë e bërë nga ana e ministres, por nuk dihet se cili do të jetë reagimi i pedagogëve dhe studentëve rreth fjalës së saj.
Gjithashtu ministrja ka folur edhe për thirrjet e studentëve “buxheti publik i shkon privatit”. Këtë fakt ajo e ka mohuar kategorikisht duke thënë se nuk është e vërtetë dhe është shprehur e gatshme të ulet dhe flasë për këtë çështje duke identifikuar njëkohësisht edhe problematikat e Ligjit të Arsimit të Lartë.
“Ajo që duhet të bëhet tani me urgjencë është të identifikohet elementët problematikë të ligjit të arsimit të lartë. Nëse nuk janë problemet ligjore, duhet t’i zgjidhim ato që ekzistojnë. Një problem që u evidentua tek Universiteti i Tiranës ishin problemet mes rektorit, administratorit, por ky nuk ishte një problem ligjor”, u shpreh ministrja e Arsimit.