Zëdhënësi për Çështje të Jashtme i Bashkimit Evropian, Peter Stano, kur u pyet për të komentuar disa qëndrime në Kosovë, përmes së cilave kërkohet pezullimi i dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në Bruksel.
“Ne jemi të bindur se, për të përmbushur aspiratat e qytetarëve të Kosovës për të ardhme evropiane, Kosova duhet ta kuptojë dhe pranojë se nuk ka alternativë përveç dialogut”, tha Stano për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, “BE-ja vlerëson vizionin e qartë të kryeministrit, Avdullah Hoti, për këtë dhe gatishmërinë e tij për të bërë zgjedhjen e vështirë, duke dëshmuar konsistencë dhe pjekuri, posaçërisht në këto kohë sfiduese”.
“Shoqëria e Kosovës është mjaft e pjekur për të kuptuar se dialogu nuk mund të përdoret për argumente afatshkurtra politike. Perspektiva evropiane e Kosovës është reale. Por, përmbushja është në duart e qytetarëve të Kosovës dhe liderëve të tyre të zgjedhur. BE-ja mbetet e gatshme tu ofroj çfarëdo ndihme. Lehtësimi i dialogut është një aspekt i kësaj ndihme”, ka thënë zëdhënësi i BE-së.
Gjatë këtij viti dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka rifilluar në Bruksel, mirëpo palët nuk kanë arritur ndonjë përafrim.
Serbia kërkon formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, ndërsa Kosova insiston në një marrëveshje të përgjithshme, në të cilën do të përfshihej edhe njohja e ndërsjellë.
Pas shpalljes së aktakuzave nga Dhomat e Specializuara për ish-presidentin, Hashim Thaçi, ish-kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi dhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në Kosovë disa përfaqësues institucionalë dhe liderë politikë kanë kërkuar ndërprerjen e dialogun me Serbinë.
Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani ka thënë për transmetuesin publik gjerman, Deutsche Welle (DW) se nuk është momenti të vazhdohet dialogu. Ndërsa, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, që është pjesë e koalicionit qeveritar, ka kërkuar pezullimin e tij.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, më 10 nëntor, kryeministri Avdullah Hoti, kundërshtoi ashpër thirrjet për ndërprerjen e dialogut me Serbinë.
Zëdhënësi i BE-së ka paralajmëruar se takimi i radhës i nivelit të lartë do të thirret në Bruksel, sa më parë që të lejojnë mundësitë. Në ndërkohë BE-ja thotë se do të ishte mirë sikur Prishtina dhe Beogradi të përgatiten për diskutime, duke treguar frymën e nevojshme të pragmatizmit dhe vullnetit politik për kompromis.
/GazetaReforma.com/