Gjykata Kushtetuese do të mbajë seancë publike për ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me rastin e deputetit Etem Arifi që votoi në ditën e formimit të Qeverisë Hoti. Nga Kushtetuesja kanë bërë të ditur për mediat e Kosovës se kjo seancë është caktuar me datë 2 dhjetor dhe do të mbahet përmes një video konference. GJK-ja për këtë temë do t’i drejtohet edhe Komisionit të Venecias.
Qeveria Hoti mund të rrëzohet nëse Gjykata Kushtetuese e interpreton si ndesh me ligjin votën e deputetit Etem Arifi që edhe pas dënimit me burg kishte vazhduar të marrë pjesë në seanca.
Kjo çështje që është dërguar për interpretim gati gjashtë muaj më parë ende nuk ka marrë epilog.
Kjo seancë që do të zhvillohet përmes video konferencës do të mbahet me datë 2 dhjetor.
“Gjykata ka marrë vendim që të mbajë seancë dëgjimore publike përkitazi me këtë rast më 2 dhjetor 2020 dhe për këtë do të njoftohen së shpejti të gjitha palët e interesit të përfshira në këtë lëndë. Për shkak të rrethanave aktuale me pandeminë Covid-19, seanca dëgjimore do të organizohet nëpërmjet video-konferencës, në përputhje me rekomandimet dhe udhëzimet në fuqi të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës”, thonë nga Kushtetuesja.
“Njëherësh, duke pas parasysh çështjet e ngritura në kërkesë, Gjykata po ashtu ka marrë vendim që t’i drejtohet edhe Forumit të Komisionit të Venecias, përkitazi me praktikat dhe rregullat e aplikueshme në situata të ngjashme, në shtetet anëtare të Komisionit”, deklaron Kushtetuesja për mediat e Kosovës.
“Bazuar në dispozitat kushtetuese dhe ligjore në fuqi, Gjykata ka afat 60 ditë për shqyrtimin e kësaj kërkese, që fillon pas dorëzimit të të gjitha dokumenteve të nevojshme për shqyrtim kushtetues të lëndës. Përkitazi me këtë çështje, Gjykata ka pasur komunikim të vazhdueshëm me institucionet dhe palët e përfshira në rast edhe gjatë muajit shtator, me qëllim të kompletimit të dosjes së lëndës”, thuhet në përgjigjen e Kushtetueses.
Etem Arifi ishte njëri prej 61 deputetëve që votoi pro zgjedhjes së Qeverisë Hoti. Për partinë e Albin Kurtit,Vetëvendosjen, e cila u rrëzua me mocion votëbesimi, vota e deputetit të Partisë së Ashkalinjëve është e pavlefshme për faktin se ai është dënuar për korrupsion me vendim përfundimtar të Gjykatës. Cilido vendim i këtij organi mund të sjellë një situatë të re politike në vend.
/GazetaReforma.com/