Greqia ka vendosur karantinën e plotë në disa zona të saj që i ka konsideruar me të drejtë si “zona të kuqe”, në të cilat përfshihen edhe dy qytetet më të mëdha të vendit Selaniku dhe kryeqyteti Athina.
Por pikërisht në këtë të fundit për autoritetet greke duket se është shumë e vështirë që të mbash izolimin dhe bllokimin e qytetarëve.
Kryeqyteti grek është një metropol me të paktën 5 milionë banorë dhe rrugët në shumë pjesë të Athinës ishin shumë më të ngarkuara ditën e parë të javës së bllokimit të ri, në krahasim me pranverën.
Sipas autoriteteve të Policisë Rrugore të Athinës, rreth 70% e shoferëve që u ndaluan dhe u morën në pyetje se përse po qarkullonin, pretendonin të shkonin për të punuar dhe 30% të tjerë, se po kryenin detyra për dikë që kishte nevojë për ndihmë.
“Trafiku ishte me të vërtetë shumë më i ngarkuar se sa ishte gjatë bllokimit të pranverës, por puna me internet nuk ka fituar terren dhe shkollat fillore janë ende të hapura. Kjo është arsyeja pse fenomeni u lehtësua pasi njerëzit filluan të punonin dhe shkolla filloi”,- i tha “Kathimerinit” të hënën një zyrtar i Policisë Greke (ELAS), duke shtuar se, trafiku u zvogëlua dukshëm pas orës 09:30 të mëngjesit krahasuar me atë ditë.
Rreth 35 ekipe të Policisë Rrugore të dërguara në pika kyçe dhe përreth kryeqytetit grek, regjistruan më shumë se 100 shkelje të kufizimeve aktuale në lëvizjen e shoferëve.
Kontrollet për shkeljet në lidhje me përdorimin e detyrueshëm të maskave në publik, çuan në lëshimin e 248 gjobave. Gjoba për shkelje të tilla, është rritur nga 150 euro në pranverë në 300 euro këto ditë.
/Burimi: Kathimerini/ Përshtati: GazetaReforma.com/