Do të fillojë sërish “arresti shtëpiak” për të gjithë shqiptarët, kjo si pasojë e shifrave të fundit të infektimeve me koronavirus. Nga java që nis përsëri do të na shoqërojë paraliza totale në vend, mbyllja e detyruar e bizneseve, ndalimi i qarkullimit të njerëzve, si dhe qeverisje nëpërmjet Facebook-ut.
Nuk përjashtohet as revolta e njerëzve në formë “djarreje” në rrjetet sociale, por kjo duket se nuk do të ketë më asnjë efekt! Shqiptarët janë të pazot që të mbajnë masat kufizuese dhe mbrojtëse, për të mos lejuar infektimin.
Kjo duket se do të jetë ajo që do të përjetojë Shqipëria për muajt në vazhdim, ku qeveria duket se do të ndjekë shembullin e fqinjëve dhe pjesës më të madhe të Europës.
Apelet e vazhdueshme nga bluzat e bardha, duket se kanë shkuar në vesh të shurdhër. Ndodhur në këto kushte, ku rastet janë në trend rritës dhe aspak të përballueshme për hospitalizimin, duket se Shqipëria do të ndjekë shembullin e fqinjëve, duke rikthyer ‘orën policore’.
Gjatë ditëve të fundit, ekspertët kanë dhënë alarmin për trendin në rritje të të infektuarve, por kanë thënë se po bëhet ç’është e mundur që Shqipëria të mos izolohet. Por situata ka marrë një tjetër rrjedhë, ndaj ekspertët kanë rishikuar shtrëngimin e masave.
Në shumë shtete të kontinentit tonë është rikthyer tashmë e ashtuquajtura ‘ora policore’. Por duket se javën që vjen, pas orën 22:00 të mbrëmjes çdo gjë në vend do të ‘paralizohet’.
Kthehet ‘ora policore’
Baret, lokalet dhe restorantet do të mbyllen, ndërkohë që edhe qytetarët nuk do lejohet që të qarkullojnë në rrugë. Burime nga qeveria bëjnë të ditur se, mbyllja vjen si pasojë e rritjes me shifra rekord të infektimeve, për të bërë të mundur uljen e numrit të të prekurve.
Javët e fundit Shqipëria ka shënuar qindra raste të infektuara nga pandemia e koronavirusit, duke thyer rekordet edhe gjatë valës së parë të shpërthimit të COVID-19 në vend.
Nuk dihet me saktësi nëse lëvizja për në vendet e punës do të bëhet me dokumente elektronike të personalizuara, por duket se qeveria edhe për këtë i ka marrë masat me anë të “e-Albania”.
Nga ana tjetër shumë subjekteve do t’i ndalohet aktiviteti pas nisjes së orës policore, dhe do të jenë vetëm farmacitë, furrat e bukës dhe supermarketet që do të vijojnë punën.
Autoritetet i kanë vënë syrin edhe shkollave për t’i mbyllur, duke u shprehur se edhe ato janë kthyer në “epiqendra” infeksioni. Por ende për këtë nuk ka një vendim të qartë se si do të veprohet, në një kohë që universiteteve ju caktuara mbyllja dhe bërja e mësimit on-line.
Mbyllja në Rajon
Ndërkohë që Shqipëria ende nuk ka pësuar mbylljen e radhës, deri tani, në rajon Kosova dhe Greqia kanë rikthyer masat e rrepta. Në Kosovë, këtë fundjavë janë mbyllur gjithçka përveç farmacive dhe furrave të bukës. Por gjatë ditëve të javës mbyllja do të nisë nga orë 20:00 deri më 05:00 të mëngjesit.
Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që në fundjavë të u ndalohet veprimtaria e të gjitha subjekteve afariste dhe bizneseve, qendrave tregtare e rekreative, supermarketeve, subjekteve që ofrojnë shërbimet e gastronomisë (restorantet, kafeteritë dhe të ngjashme) në tërë territorin e Republikës së Kosovës, prej orës 20:00, më 06/11/2020 (e Premte) deri më 09/11/2020 (e Hëne) në orën 05:00.
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se, masat e marra duhet të shërbejnë si vetëdijesim.
“Këto 2-3 ditë duhet të na shërbejnë për vetëdijesim, që të mos qëndrojmë të grumbulluar dhe ta mbajnë maskën”,- ka deklaruar Zemaj.
Ndërsa Greqia i ka ndarë në zona të kuqe dhe portokalli, duke bërë të detyrueshme maskën dhe ndalimin e qarkullimit nga ora 00:30 deri në 5:00.
/GazetaReforma.com/