Skip to content
Bota

Amerikania 104-vjeçare voton për Joe Biden: Tani mund të vdes e lumtur!

· 1 min lexim

Në moshën 104-vjeçare ajo ka qënë dëshmitare e më shumë se 20 zgjedhjeve presidenciale në SHBA, por Ruth Rosner thotë se vetëm tani mund “të vdesë e lumtur”, pasi votoi për Joe Biden, kandidatin demokrat shumë pranë mandatit si president i ri i SHBA.

104-vjeçarja tha se vota e saj ishte më e rëndësishmja që ajo ka hedhur gjatë jetës së saj, teksa e cilësoi presidentin aktual, Donald Trump si një person jo të denjë për të udhëhequr shtetin.

Rosner u bë e njohur në rrjetet sociale pasi mikja e saj, Faith Salie shpërndau videon teksa 104-vjeçarja i drejtohej kutive të votimit.

“Sot pata nderin të shoqëroja shoqen time 104.5 vjeçare Ruth për të votuar. Ajo ka lindur para se gratë të kishin të drejtë vote. Babai i saj vdiq nga gripi gjatë pandemisë së vitit 1918, kur ajo ishte 2 vjeçe,” shkruan Salie në “Twitter”./GazetaReforma.com/