“Na ndihmoni se ndërtuesi Irfan Hysenbelliu po na bllokon dritaret”, kjo është ankesa e qytetare Fatma Mesiti, që ka një apartament tek zona e ish-Bllokut.
Duke folur për Gazetën Reforma, Fatma Mesiti, deklaron se biznesmeni bashkë me vëllain e tij Bardhyl Hysenbelliun, po ngrenë katin e dytë të lokalit “Balux” duke i zënë dritaret pallatit. Ajo shprehet se kati i dytë do të bëhet një piceri.
Qytetarja shprehet se i është drejtuar personalisht Erion Veliajt, Policisë Bashkiake, deputetit të zonës Pandeli Majkos, drejtorit të IKMT-së, Maringlen Qatos, Policisë së Rendit dhe vetë kryeministrit Rama.
Fillimisht, pasi i shkroi kryeministrit, siç shprehet zonja, ndërtimi u pezullua, por disa muaj më pas rifilluan punimet.
Denoncuesja Fatma Mesiti u ankua gjithashtu se përpjekjet dhe denoncimet e saj kanë rënë në vesh të shurdhët te autoritetet.
Zonja Mesiti ka denoncuar publikisht edhe në profilin e saj në rrjetet sociale se drejtori Inspektoriatit të Ndërtimit, Maringlen Qato, i është përgjigjur me një arrogancë të theksuar e me një përgjigje harbute me frazën: “E kujt po i bëhet vonë”, mesazhit të qytetares.
Ndërtimi tek ish-Blloku
Denoncuesja është shprehur se punimet për këtë ndërtim kanë filluar që në verën e kaluar, duke shtuar e shqetësuar se ka bërë disa herë ankesa në organet kompetente dhe tentativa për ta bllokuar.
Qytetarja ka theksuar se përgjatë gjithë kësaj kohe ku tentoheshin punimet, ajo ka parashtruar ankesa edhe në Policinë e Shtetit, por sipas saj me disa “pauza” të vogla, punimet kanë filluar sërish edhe pse nga autoritetet u dha garancia që në atë zonë nuk do të bëhej asnjë ndërtim!
Zonja Fatma Mesiti ka shpjeguar gjithashtu se deri në vitin 1998’-të, zona përpara pallatit ka qenë lulishte, dhe se biznesmeni Hysenbelliu duhet të hetohet se në çfarë mënyre e ka marrë lejen e ndërtimit në këtë zonë dhe se si ky i fundit është pajisur me dokumente pronësie për të ndërtuar përpara një pallati 52-vjeçar dhe unikal në llojin e tij në zonën më të kushtueshme të Tiranës.
Sipas denoncueses, sipërmarrësi Hysenbelliu e ka zaptuar hapësirën ku më parë ishte një lulishte dhe një shatërvan dhe më pas bëri një planimetri projekt me dy profile.
Duke qenë se banorëve të hyrjes në katin e parë të pallatit në fjalë iu zu krejtësisht pamja nga ndërtimi i lokalit, ata u detyruan që ta shisnin apartamentin e tyre tek biznesmeni Hysenbelliu.
Zonja shprehet e revoltuar se kjo nuk i ka mjaftuar biznesmenit, por ai ka dashur që të shtojë sërish edhe një kat, duke bllokuar tanimë edhe pamjen dhe dritën në katin e dytë të pallatit.
Mesiti shprehet më tej se pas 2 muajsh bllokim, punimet kanë rinisur sërish.
Zonja Mesiti ka kërkuar ndihmën e mediave dhe të autoriteteve për të ndaluar këtë masakër që po bëhet mu në qendër të Tiranës.
Ndër të tjera qytetarja tha se edhe parkingu pas pallatit, është zaptuar nga biznesmeni Irfan Hysenbelliu i cili deri në vitin 2015-të e ka përdorur atë hapësirë pa letra dhe pa paguar taksë.
Sipas saj sipërmarrësi e përfitoi më pas lejen për parkingun në mënyrë të dyshimtë.
Postimi i zonjës Fatma Mesiti:
“Të dashur miq, drejtuesit e institucioneve të shtetit shqiptar janë gangsterë. Tani në këto momente, drejtori i Inspektoriatit të Ndërtimit, Maringlen Qato me merr në whatsapp, sepse sot tërë ditën e kam marr në telefon dhe nuk më është përgjigjur as mua dhe as Policisë së Rendit, gjithashtu as punonjësve të Minibashkisë nr5! Më mori se i shkruajta këtë sms:
Drejtor që nuk me kthen asnjë përgjigje, ti nuk do të jesh tërë jetën drejtor, jeta ka ulje dhe ngjitje, por ti atje je në atë detyrë per mbrojtjen e territorit dhe jo për shkatërrimin e tij. Ti jo vetëm nuk mbron të drejtën që po shkatërrohet ambjenti, por ti në bashkëpunim me këta kriminelë, po na shkatërron jetën tonë, që mos të rrijmë të qetë në shtëpine tonë. Unë nuk do ndalem, do ju diskreditoj kudo, sepse ju, ju po ma nxini jetën mua. Do më shihni se mbase nuk ua mbush syrin…..
Kur më mori i thashë problemin….përgjigja e tij ishte: E KUJT PO I BËHET VONË…..! Dhe si burracak mbylli telefonin! Merr në 22: 30 të mbrëmjes një femër ……..
I thashë po ti si guxon të më marrësh mua në këtë orë? ……E shihni pra se kush i drejton institucionet e këtij vendi?”, është shprehur qytetarja.
Ndërkohë lidhur me këtë skandal, deri më tani nuk kanë reaguar institucionet, as shefja e IKMT-së, Dallëndyshe Bici, as Policia Bashkiake apo ajo e Shtetit, e cila duhet të merret edhe me këto raste specifike.
/GazetaReforma.com/