Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE), ka kërkuar ditën e djeshme anullimin e rezultatit të zgjedhjeve në Bjellorusi, pasi sipas tyre ka prova që këto zgjedhje janë të manipuluara.
OSBE, në bazë të një raporti dënon abuzimet “masive” të drejtave të njeriut dhe torturat që u shkaktuan në Bjellorusi pas zgjedhjeve dhe ka bërë thirrje për votime të reja që të përmbushin kriteret ndërkombëtare.
“Ka prova shqetësuese se zgjedhjet presidenciale të 9 gushtit ishin manipuluar dhe se forcat e sigurisë kryen shkelje masive dhe sistematike të të drejtave të njeriut kundër protestave paqësore,” thuhet në një dokument të paraqitur në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së.
Raportuesi Wolfgang Benedek, ka mbledhur qindra dëshmi dhe foto ku tregohen torturat dhe trajtimi çnjerëzor që u bëhet protestuesve në Minsk por edhe kalimtarëve që ndodhën në rrugë gjatë protestës.
Duke vepruar me kërkesë të 17 vendeve, përfshirë Francën, Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe, Benedek shqyrtoi 700 deklarata të shkruara dhe në internet, pasi nuk ishte në gjendje të vizitonte Bjellorusinë sepse autoritetet atje refuzuan të bashkëpunonin.
Zgjedhjet në Bjellorusi janë mbajtur më 9 gusht, por opozita dhe vëzhguesit ndërkombëtarë kanë thënë se votimet janë manipuluar, në favor të Lukashenkos.Që atëherë, mijëra bjellorusë, pavarësisht shtypjeve nga policia, kanë vazhduar protestat duke kërkuar dorëheqjen e Lukashenkos.