Vetëm një muaj më parë qeveria “Rama” deklaroi rihapjen e kazinove të mëdha të licencuara nga shteti në hotele me 5 yje dhe në pallate të caktuara për këtë biznes që do të jenë në qendër të Tiranës.
Por dy vite më parë me bujë operacioni “Forca e ligjit” u shit sikur i mbylli të gjitha lojërat e fatit, bastet sportive dhe bizneset e kumarit.
Por në fakt ky ishte vetëm një deklarim propagandistik dhe një show, pasi në asnjë ditë dhe në asnjë moment kumari dhe lotot sportive nuk u mbyllën, madje lulëzuan edhe më shumë.
Këtë e tregojnë shifrat e fundit, të bëra publike nga një raport ndërkombëtar, i cili ka renditur edhe Shqipërinë në bazë të anketimeve të bëra në sektorin e lojërave të fatit, raporton “Monitor.al”.
Sipas këtyre të dhënave, në vitin 2019 në Shqipëri ishte e disponueshme një makinetë lojërash fati (slot machine) për 10493 persona.
Një raport që merr në analizë globalisht të gjithë vendet, tregon se, në vendin tonë ishin të disponueshme 293 makineta që kategorizohen tek lojërat e fatit. Një shifër kjo më e lartë edhe se në vitin 2017 dhe 2018, kur numri i makinetave ishte 240.
Rritja prej 22% duket pak ironike në kushtet kur Shqipëria, në fund të vitit 2018, vendosi mbylljen e lojërave të fatit.
Raporti ndërkombëtar
Shqipëria për asnjë moment nuk e ndali biznesin e lojërave të fatit dhe kumarit, por ndrysha nga sa ishte më parë, në 3 vitet e fundit ky biznes u bë më i sofistikuar.
Raporti i “Numërimit Botëror i Makinetave të Lojërave të Fatit 2019” publikuar në tetor të këtij viti nga “Shoqata e Teknologjisë së Lojërave të Fatit”, e tregon qartë këtë.
Ai tregon në hyrje të tij se, të dhënat e përdorura në raport janë rezultat i anketimeve të bëra.
“Informacioni për këtë anketë ka si burime trupat rregullatorë të lojërave të fatit në vendet respektive, burime qeveritare, kompanitë private të kërkimit, operatorë të industrisë së lojërave të fatit dhe vendndodhje direkte se ku janë të instaluar makinetat.
Të dhënat verifikohen përmes disa burimeve dhe autoriteteve. Makinetat që numërohen në këtë anketë janë ato që janë të instaluara legalisht. Numërimi është bazuar në numra makinetash që mund të verifikohen”,- thuhet në sqarimin për raportin.
Aktualisht në vendin tonë mund të ushtrojnë aktivitetin sipas ligjit lojëra fati të tilla si: Lotaria Kombëtare që është një koncesion 10 vjeçar, kazinotë në hotele me 5 yje dhe që janë të licencuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit.
Interesi tek lojërat e fatit
Lojërat e fatit ishin një sektor që gjeneronin të ardhura të mira në arkën e shtetit prej taksave të tyre, por edhe punësonin mbi 7 mijë persona, ndërkohë që qarkullonin rreth 140 milionë euro.
Por me mbylljen e tyre “ligjore”, një numër mjaft i madh punonjësish të këtij sektori u hodh në rrugë që nga 1 janari i vitit 2019, kur operacioni “Forca e Ligjit”, bëri të mundur mbylljen zyrtare të kazinove, basteve sportive dhe lojërave të fatit.
Në fund të vitit 2018, qeveria “Rama” vendosi që të mbyllte në mënyrë të beftë lojërat e fatit dhe bastet sportive, duke i cilësuar ato si një “plagë sociale”.
Por mbyllja e tyre erdhi në një kohë kur edhe nga Komisioni Europian në një raport për Shqipërinë, thuhej se, lojërat e fatit po përdoreshin për pastrimin e parave.
Për rrjedhojë, kumari nuk u mbyll në asnjë moment dhe madje ai lulëzojë edhe më fortë dhe në formë më të sofistikuar, ku nga parashikimet e institucioneve ndërkombëtare që monitoronin Shqipërinë, gjatë këtyre dy viteve të bllokimit, u pastruan miliona euro në këtë sektor.
Nisur edhe nga kjo, qeveria “Rama” muajin e kaluar vendosi hapjen sërish të kazinove dhe lojërave të fatit, por me rregulla të reja.
Vetëm pak kohë më parë u përcaktuan zonat ku mund të ushtrohet aktiviteti për kazinotë, ndërkohë që AMLF, hapi garën për paraqitjen e dokumentacionit nga palët e interesuara duke lënë si afat, datën 22 tetor, për paraqitjen e tyre ndërkohë që nga 23 tetori niste vlerësimi i tij.
/Burimi: Monitor.al/ Përshtati: GazetaReforma.com/