Zgjedhjet në SHBA edhe pse ka kaluar tashmë dita e votimit, nuk janë qartësuar ende dhe avantazhi mes dy kandidatëve është shumë i ngushtë.
Edhe pse exit-pool-et dhe të dhënat e fundit kanë favorizuar kandidatin demokrat Biden, ky i fundit nuk e ka ende të hapur derën për në Shtëpinë e Bardhë.
Në Shtetet e Bashkuara, gara për presidencën vazhdon të mbajë në ankth miliona njerëz. Kandidati demokrat, Joe Biden, nuk po siguron epërsi në shtete kyçe, ku gara nuk është vendosur ende.
Nga rezultatet më të fundit, të publikuara në kohë reale nga televizioni “Fox News”, kandidati republikan dhe presidenti aktual, Donald Trump, ka një epërsi solide në Pensilvani, një shtet me rëndësi të madhe sepse ka 20 vota në Kolegjin Zgjedhor.
Trump është në epërsi edhe në tre shtete tjera të rëndësishme, që kanë numër të konsiderueshëm votash në Kolegjin Zgjedhor, Miçigan, Karolinën e Veriut dhe Xhorxhia.
Duhet theksuar se, Karolina e Veriut ka 15 vota në Kolegjin Zgjedhor, ndërsa Xhorxhia 16, që do të thotë se këto shtete mund të jenë vendimtare në përcaktimin e fituesit të zgjedhjeve.
Përveçse është në disavantazh në katër shtete të rëndësishme, kandidati demokrat Joe Biden, nuk është mirë as në dy shtete të tjera.
Nga rezultatet e numëruara deri më tani, Joe Biden është në epërsi në shtetin verior Uiskonsin, i cili ka 10 vota në Kolegjin Zgjedhor, dhe në Nevada, shtet që ka gjashtë vota në Kolegjin Zgjedhor.
Në Uiskonsin, Biden ka rreth 1 milion e 610 mijë vota, ndërsa Donald Trump 1 milion e 599 mijë vota, sipas rezultateve të publikuara në televizionin “Fox News”. Deri më tani, në këtë shtet janë numëruar 95 për qind e votave.
Në Nevada, shtet që ka gjashtë vota në Kolegjin Zgjedhor dhe që shtrihen në perëndim të Shteteve të Bashkuara, epërsia e kandidatit Joe Biden është edhe më e ngushtë.
Atje Biden ka vetëm rreth shtatë mijë vota më shumë se Trump, por duhet theksuar fakti që janë numëruar vetëm 67% e votave, që do të thotë se rezultati mund të ndryshojë shumë deri në fund.
/GazetaReforma.com/