“Ethet” e sulmeve terroriste në shtetet kryesore të Europës, duket se kanë sjellë reagim edhe në Shqipëri, ku edhe pse zyrtarisht nuk ka njoftime për akte të mundshme, kanë nisur të merren masa.
Pas sulmeve terroriste të ditëve të fundit në Francë dhe Vjenë të Austrisë, Antiterrori shqiptar dhe RENEA janë mobilizuar duke kaluar në gatishmëri për të rritur sigurinë në vendin tonë.
Nga sa bëhet e ditur, nga sot në ambientet publike, aeroporte dhe porte, do të ketë prezencë të shërbimeve civile, si dhe do të rritet numri i patrullimeve të shërbimeve me uniformë të policisë.
Këto masa do të jenë në fuqi deri në fund të vitit, për shkak edhe të festave që na presin në vijim, saktësisht 28-29 Nëntori dhe festat e fundvitit: Krishtlindjet dhe Viti i Ri.
Masat në fjalë do të përfshijnë edhe shërbimet diplomatike në vendin tonë.
Mbrëmjen e djeshme, disa persona të armatosur hapën zjarr në gjashtë lokacione të ndryshme në qendër të Vjenës, duke vrarë 4 persona dhe duke plagosur 15 të tjerë.
Kancelari austriak Sebastian Kurz, e quajti atë një “sulm të neveritshëm terrorist”, dhe tha se, një i armatosur u vra gjithashtu, shkruan “BBC”.
Kështu masat e sigurisë në vend do të kalojnë nga pika jeshile në atë portokalli, që tregon shkallën e rrezikshmërisë dhe ekspozimit nga ngjarje të mundshme kriminale.
/GazetaReforma.com/