Sot Shtetet e Bashkuara të Amerikës zhvillojnë zgjedhjet presidenciale, të cilat për nga llopji i tyre konsiderohen si zgjedhjet më të pazakonshme në historinë e këtij vendi.
Ndërkohë që një pjesë e madhe e qytetarëve amerikanë presin t’u drejtohen sot kutive për të dhënë verdiktin e tyre, qytetet kryesore të vendit janë blinduar dhe izoluar nga frika e shpërthimit të revoltave të grupeve majtiste-anarkiste.
Zyrtarët në shtetet me rezultate të debatueshme përplasen me presidentin dhe pretendojnë se mos numërimi i votave do të ishte ‘grusht shteti’.
Zyrtarët demokratë në shtetet kryesore të SHBA-ve, që pritet të kenë një rezultat të ngushtë, sulmuan presidentin aktual amerikan Donald Trump, pasi ai u zotua se do të ngrinte një sfidë ligjore para se të numëroheshin të gjitha votat.
Kjo, shkruan Financial Times, po ndodh ndërsa SHBA po përgatitet për një zgjedhje kaotike, në datën 3 nëntor.
Demokratët kanë frikë se Z. Trump po përpiqet të rrisë shanset e tij të rizgjedhjes duke bërë pretendime të pabazuara në lidhje me mashtrimet e votuesve, në një përpjekje për të minuar rezultatin nëse ai humbet.
Votimet me postë dhe votimet e hershme, të cilat mund të duhen ditë për tu numëruar në shtetet kryesore të Midwest, kanë treguar një epërsi të demokratëve në shumicën e rajoneve, që do të thotë një ndërprerje e hershme e numërimit mund të dëmtojë kandidatin demokrat Joe Biden.
Dana Nessel, Prokurorja e Përgjithshëm e Miçiganit, të hënën paralajmëroi se çdo përpjekje për të parandaluar që shteti të numërojë më shumë se 3 milion vota, që në fakt janë dhënë, do të ishte e barabartë me një “grusht shteti”.
“Zgjedhjet mbarojnë kur numërohen të gjitha votat. Jo kur votimet mbyllen”,- tha zonja Nessel. “Votuesit duhet të përcaktojnë fituesin – jo kandidatët.”
Avokatët e Z. Trump tashmë janë përpjekur të nxjerrin të pavlefshme disa vota të hedhura herët, përfshirë ato në Teksas, ku një gjykatës federal të hënën po shqyrtonte një padi të bërë nga republikanët për të skualifikuar fletët e votimit të hedhura nga “votimi nga makina[1]” në Hjuston. Texasi, shteti i dytë më i madh i SHBA, është tradicionalisht republikan, por sondazhet tregojnë një garë të ngushtë midis Presidentit Donald Trump dhe kandidatit demokrat Joe Biden, me më shumë se 9 milion vota të hedhura tashmë, sipas “Reuters”.
Një gjykatës i Nevada të hënën frenoi një përpjekje të republikanëve për të ndaluar numërimin e votave të hershme në zonën e Las Vegasit.
Në prag të zgjedhjeve, Biden kryeson në rang kombëtar me 7.5 pikë, sipas një analize që FT i ka bërë të dhënave të sondazheve të përpiluara nga “RealClearPolitics”. Ai gjithashtu ka avantazhin në çdo shtet të debatueshëm, përveç Ohajos, Ajovws dhe Karolinës së Veriut. Por epërsia e tij në disa zona është brenda kufijve të gabimit, gjë që ka ngritur shqetësimin e disa demokratëve se Trump mund të përsërisë fitoren e befasishme që bëri në 2016 kur sondazhet në disa shtete të luhatshme nuk e kapën epërsinë e tij.
Potenciali që këto zgjedhje të përballen me beteja ligjore është rritur për shkak të numrit të madh të votave të hershme, ose përmes fletëvotimeve me postë, pasi amerikanët po votojnë në numër rekord përpara ditës së zgjedhjeve për shkak të pandemisë së koronavirusit. Sipas Projektit Zgjedhor të SHBA, i cili ndjek votimin, më shumë se 95 milion Amerikanë – 69 përqind e numrit të përgjithshëm të atyre që votuan në 2016 – kanë votuar tashmë.
Të Dielën, Trump tha se, ishte një “gjë e tmerrshme” që fletët e votimit të numëroheshin pas ditës së zgjedhjeve në Pensilvani. “Natën, – sapo të mbarojnë ato zgjedhje – ne do të shkojmë me avokatët tanë”,- tha ai.
Pensilvania, një fushë kryesore beteje për Trump, do të pranojë fletëvotimet me postë që janë nisur deri në ditën e zgjedhjeve dhe mbërrijnë brenda tre ditësh nga zgjedhjet. Gjykata e Lartë kohët e fundit hodhi poshtë një kërkesë nga Republikanët për të bllokuar këtë masë, por nuk përjashtoi rishikimin e çështjes.
Josh Shapiro, Prokurori i Përgjithshëm i Pensilvanisë, u shpreh përsëri kundër Z. Trump. “Zgjedhjet tona mbarojnë kur të gjitha votat numërohen. Por nëse avokatët tuaj duan të na gjykojnë, ne do të ishim të lumtur t’ju mposhtnim edhe një herë në gjykatë, “tha ai ndërsa u kërkoi votuesve të” mbytnin zhurmën dhe gënjeshtrat “.
Jen O’Malley Dillon, menaxheri i fushatës së Joe Biden, tha: “Në asnjë skenar Donald Trump nuk do të shpallet fitues natën e zgjedhjeve”.
Ndërsa vendi përgatitej për ditën e zgjedhjeve, dyqanet dhe ndërtesat në Uashington DC dhe qytete të tjera të mëdha në të gjithë SHBA po mbuloheshin me dërrasa, ose mjete të tjera mbrojtëse, si një masë paraprake kundër trazirave të mundshme pas rezultateve.
Mark Warner, senatori i Virxhinias që shërben si demokrat i lartë në komitetin e inteligjencës së Senatit, paralajmëroi se agjencitë e inteligjencës amerikane kanë bërë të ditur që periudha përreth ditës së zgjedhjeve do të ishte “në mënyrë unike e paqëndrueshme” dhe u bëri thirrje amerikanëve të jenë të durueshëm.
“Mund të duhet pak kohë deri sa të dalin rezultatet”,- tha Warner. “Kjo periudhë kohe është veçanërisht e ndjeshme ndaj sulmeve nga vendet e huaja që kërkojnë të përhapin dizinformimin dhe të minojnë legjitimitetin e procesit tonë zgjedhor.”
Në ditët e fundit të fushatës, Z. Trump ka mbajtur tubime të mëdha, përfshirë katër të tilla në Pensilvani të Shtunën, ku ai ka zhvlerësuar në mënyrë të përsëritur ndikimin e Covid-19, i cili ka vrarë 231,000 Amerikanë.
Në një tubim në Georgia të Dielën, Z. Trump sugjeroi se ai mund të pushonte nga puna Anthony Fauci, ekspertin më të lartë të sëmundjeve infektive të SH.B.A.-së dhe një anëtar të Task Forcës së Koronavirusit të Shtëpisë së Bardhë, pasi turma brohoriti “Pushojeni nga puna Fauci”.
“Mos i tregoni askujt, por më lini të pres deri pak pas zgjedhjeve”,- tha Trump.
Biden, fushata e të cilit është përqendruar në kritikimin e mënyrës se si Z. Trump ka trajtuar pandeminë, e sulmoi presidentin për kërcënimin për të shkarkuar Dr. Fauci. “Kam një ide më të mirë. Më zgjidhni mua, dhe unë do të punësoj Dr. Fauci dhe ne do të heqim nga puna Donald Trump”,- tha Biden.
[1] Termi në anglisht “Drive-Thru Voting” është një metodë votimi përmes të cilës fletët e votimit vendosen në kuti dhe është një process alternativ ndaj shkuarjes direkte në një qendër votimi, votimit elektronik dhe votimit me postë. Pavarësisht etiketimit “Votimi nga makina “, veprimi mund të bëhet edhe me këmbë, por në pjesën më të madhe ai praktikohet nga një makinë. Kjo metodë është e preferuar për shkak të komiteti që ofron, ndaj votimit tradicional dhe shmangies së kontakteve pas pandemisë së Covid-19. Votimi bëhet duke paraqitur kartën e identitetit dhe duke zgjedhur kandidatin në makinën elektronike dhe votuesit mund ta bëjnë këtë veprim pa dalë nga makina e tyre.
/Burimi: Monitor.al/Përshtati: GazetaReforma.com/