Një vendim aspak i zakonshëm është marrë ditën e sotme nga Prokuroria e Tiranës, e cila ka nisur hetimet ndaj Këshillit të Rregullimit të Territorit (KRRTRSH).
E gjithë kjo situatë është krijuar pasi Këshilli ka dhënë leje për ndërtimin e një objekti pas godinës së institucionit të Presidencës së Republikës.
Prokuroria e ka ngritur këtë akuzë me motivacionin “Shpërdorim detyre”për dhënie të paligjshme të lejes së ndërtimit.
Megjithatë kallëzimi nuk daton tani, por që në muajin dhjetor, ndërkohë që objekti është kontestuar gjatë nga grupe të ndryshme interesi dhe ajo që shqetëson më shumë është se është duke u ndërtuar në një zonë muzeale me status të veçantë ligjor.
Përpos këtij fakti prona është në proces gjyqësor tashmë prej shumë kohësh, gjë që do të thotë se përsëri nuk duhet të lejohet ndërtimi i këtij objekti pikërisht në atë vend.
Sipas burimeve mediatike janë të paktën 25 familje që e pretendojnë këtë tokë, të cilët kanë hapur gjyq ndaj pronarëve që e morën në vitin 1995 dhe atyre që e blenë më vonë.
Mirëpo përpos gjithë fakteve të përmendura më sipër, vetë institucioni i Presidencës ka reaguar ndaj këtij ndërtimit, pasi e ka parë si cenim të sigurisë së institucioni praninë e një objekti të tillë pranë institucionit.