Koronavirusi duket se është kthyer me gjithë vrullin e tij në një valë të dytë në të gjithë Europën, ndërkohë qeveritë perëndimore menjëherë kanë nisur nga marrja e masave deri ekstreme. Por menjëherë paralel me masat drastike të izolimit, qeveritë e vendeve të BE-së kanë deklaruar edhe masat mbështetëse për bizneset dhe individët, duke mos e lënë ekonominë e tyre të shkojë në humnerë.
Ajo që nuk ka bërë asnjë gjë konkrete deri tani është qeveria shqiptare, e cila këtë vit është goditur keq nga fatkeqësitë natyrore, por duket se asgjë nuk ka mbaruar…
Edhe në Shqipëri koronavirusi ka njohur rritje rastesh dhe menjëherë Komisioni i Ekspertëve ka parashikuar masa kufizuese. Por duket se këto masa edhe një herë do të penalizojnë ekonominë e brishtë shqiptare, e cila gjendet aktualisht brenda një “grope” ekonomike.
Ministrja e financave, Anila Denaj, ka deklaruar pak ditë më parë se nuk ka buxhet për ndonjë situatë emergjence dhe se e vetmja gjë që mund të bëhet për bizneset, në rast të ndonjë mbylljeje të dytë është shtyrja e deklarimeve tatimore apo shtyrjen e pagesave të detyrimeve.
Kjo do të thotë se, nëse do të kemi një karantinë të dytë, shteti shqiptar do të ngrejë “duart lart” dhe mund të shpallë edhe falimentimin, sepse nuk ka asnjë plan gati. Nëse do të ndodhe kjo gjë, me siguri do të gjendemi përballë një situatë të ngjashme si pak muaj më parë, kur shumica e bizneseve shkuan drejt falimentit.
“Rritja ekonomike përgjatë periudhës 2021-2023 pritet të gjenerohet kryesisht nga kërkesa e brendshme, si konsumi privat ashtu edhe investimet”,- u shpreh Ministrja.
Në vitin 2021, të ardhurat totale të buxhetit parashikohen të arrijnë 479 miliardë lekë, ose 10.6 % më shumë se i pritshmi i vitit 2020. Shpenzimet Buxhetore për vitin e ardhshëm janë programuar në nivelin e 587.6 miliardë lekë ose 34.9% e PBB, me rritje në terma nominalë me rreth 8 miliardë lekë krahasuar me Aktin Normativ të Buxhetit të vitit 2020.
Vjeshta ka nisur e vështirë
Kjo vjeshtë, sipas të gjitha parashikimeve, pritet të jetë periudha më e vështirë financiare që do të kalojë sipërmarrja shqiptare nga kriza e Covid-19. Shoqatat kryesore të biznesit dhe Dhomat e Tregtisë parashikojnë që, në muajt shtator-tetor-nëntor, të vijë vala e dytë e falimentimit të bizneseve fason, turizmit, bareve, restoranteve dhe transportit.
Arsyet janë reduktimi i të ardhurave deri në 70% për hotelet, 50 deri në 60% për baret dhe restorantet për muajin gusht dhe mungesa e rimbursimeve për klubet e natës që ende janë të mbyllura.
Sektori fason vazhdon të vuajë mungesën e porosive për prodhimin e veshjeve dhe të këpucëve për sezonin e pranverës 2021. Po ashtu, edhe të likuiditetit për diversifikimin e prodhimit me kërkesat e pandemisë.
Si u bllokuan pagat e Garancisë Sovrane 1
Garancia Sovrane 1 dhe 2, masa të aplikuara nga qeveria në mbështetje të sipërmarrjes, konsiderohen të dështuara dhe të pafavorshme, për shkak të interesit të lartë dhe penalizimit nga analiza e riskut. Paketat 1 dhe 2, të ndihmës financiare, vlerësohen më shumë për karakterin e tyre social për të ndihmuar punonjësit e larguar nga puna.
Nisur nga situata aktuale dhe pritshmëritë pesimiste për muajt e ardhshëm, Shoqatat e Biznesit dhe Dhomat e Tregtisë më tepër kanë kërkesa me karakter fiskal për qeverinë, që nga ulja e taksave në nivel kombëtar, rimbursimi i qirave për strukturat e shërbimit të mbyllura në karantinë, subvencionimi i kostove për blerjen e makinerive të masonëve, që kërkojnë të prodhojnë materiale njëpërdorimshme për t’i shpëtuar krizës, instrumente nxitës për rritjen e konsumit dhe fuqisë blerëse, si dhe politika mbrojtëse për fermerin dhe industrialistin shqiptar.
Sa e ndihmuan biznesin paketat e ndihmës financiare
Përfaqësues të biznesit mbështesin hyrjen në fuqi të vendimeve për heqjen e tatimfitimit për biznesin e vogël deri në 14 milionë lekë në vit dhe rritjen e pragut të xhiros të TVSH-së nga 5 milionë lekë në 8 milionë lekë. (Ndryshimet e miratuara i shtrijnë efektet nga 1 janari 2021).
Qasja e Dhomës të Tregtisë dhe Industrisë është ndryshe për paketat financiare 1 dhe 2, në mbështetje të biznesit dhe të punonjësve.
“Ne i kemi kërkuar qeverisë që, si masë parandaluese për krizën nga pandemia, të ndërmerrte edhe Paketën 3 të ndihmës financiare, por ky rekomandim nuk u mor në konsideratë.
Paketa 1 për dhënien e 3 pagave minimale dhe Masa 2 për përfitim bonusi me vlerë 40 mijë lekë kishin më shumë karakter social, u kompensuan ata që humbën vendin e punës, çka ndodh edhe në periudhë normaliteti, që kush del i papunë, aplikon për përfitim të ndihmës ekonomike.
Në aspektin financiar, ndihma e dhënë nuk ishte shumë efikase. Në politikat për taksat, pati një qasje pozitive në drejtim të biznesit të vogël, si për heqjen e tatimfitimit dhe rritjen e pragut të xhiros të TVSh-së nga 5 milionë në 8 milionë lekë. Këto masa i pakësojnë shpenzimet e detyrimeve për biznesin”,- deklaroi kreu i Dhomës së Tregtisë të Durrësit.
Si duhet të ndihmohet turizmi
Strukturat akomoduese të hotelerisë dhe agjencitë turistike ende nuk po e rimarrin veten nga mungesa e fluturimeve dhe të turistëve të huaj, sipas Rrahman Kasës.
Përfaqësuesi i Shoqatës së Turizmit, në një deklaratë dhënë disa kohë më parë për “Monitor”, kërkoi trajtim financiar për punonjësit e turizmit deri në kthimin në normalitet të situatës ekonomike, për t’i shpëtuar krizës.
“Situata është e vështirë, sidomos për agjencitë turistike, të cilat nuk kanë çfarë produktesh të shesin, kur njerëzit nuk lëvizin, kur avionët fluturojnë me kapacitet të reduktuar, kontrollet e shumta dhe procedurat e rënduara në pikat kufitare po pengojnë njerëzit të lëvizin. Pra në këtë periudhë, udhëtimi për turizëm nuk është lejuar.
Punonjësit e sektorit të turizmit duhet të paguhen me pagë minimale nga qeveria deri sa situata të normalizohet, të hapet e kufijtë dhe të normalizohen udhëtimet. Trajtimi financiar për punonjësit nga qeveria është i domosdoshëm, pasi shumë biznese kanë falimentuar, kanë mbyllur qepenat dhe nuk kanë mundësi për të mbijetuar”,- pohoni Kasa.
Kërkesat e Shoqatave të Biznesit dhe Dhomës të Tregtisë
Pro-Eksport Albania
1-Ritrajtim dhe rikonceptim të kritereve të funksionimit të dy instrumenteve kredi me Garanci Sovrane, të lançuara tashmë: a) Instrumenti i Parë Kredi me Garanci Sovrane 100% të rivendoset në afat (të zgjatet afati i aplikimit) dhe të lehtësohen kriteret (kushtet kualifikuese) për firmat që duan të aplikojnë. Kështu do të mund të shfrytëzohet nga kompanitë e sektorit pjesa e papërdorur e kësaj kredie. b) Instrumenti i dytë kredi me Garanci Sovrane 60% të ketë lehtësim të kushteve kualifikuese, duke mbështetur të gjitha ndërmarrjet që aplikojnë dhe që janë me bilanc ekonomik pozitiv për vitin 2019, por që sot ndodhen në vështirësi për likuiditete, kanë stoqe të mallrave apo vështirësi në likuidimin e kredive të vjetra.
2-Realizimi i një programi mbështetës afatmesëm nga Buxheti i Shtetit dhe institucionet donatore, i financuar pjesërisht me grante dhe pjesërisht me kredi të butë, për sipërmarrjet e sektorit që kanë nevojë të riformatojnë prodhimin dhe të diversifikojnë produktet, në përshtatje me kërkesat e sotme të tregut ndërkombëtar, duke përfshirë pajisjet sanitare dhe pajisjet mjekësore të mbrojtjes individuale.
3-Në kushtet e krijuara, të gjitha kontratat që do të lidhen në të ardhmen nga institucionet shtetërore për të plotësuar nevojat për produkte veshjesh dhe këpucësh, të tenderohen apo negociohen vetëm me ndërmarrje prodhuese shqiptare të këtij sektori.
4-Kompensim i plotë i shpenzimeve mujore direkte ekstra të kryera nga fabrikat e sektorit, në respektim të Protokollit të Kuq për periudhën e pandemisë deri tani, të cilat kapin një kosto të llogaritur prej 5,000 lekësh në muaj për çdo punonjës aktiv.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, Durrës
1-Eliminimi i burokracive për aplikim kredie nëpërmjet Garancisë Sovrane 2, fondi i ndihmës të disbursohet direkt në llogaritë e biznesit.
2-Si masë parandaluese për krizën nga pandemia të ndërmerret edhe zbatimi i Paketës 3 të ndihmës financiare.
3-Nga qeveria të gjenden dhe zbatohen mekanizmat për rritjen e konsumit dhe fuqisë blerëse.
4-Të zbatohet një paketë e re fiskale, me objekt rishikimin e taksave në nivel kombëtar, për t’u ardhur në ndihmë bizneseve vendase dhe për rritjen e investimeve të huaja në Shqipëri.
Shoqata e Bareve dhe Restoranteve
1-Të ulet TVSH-ja në 6%, në të njëjtin nivel si sektori i turizmit dhe agroturizmit, si një instrument i rëndësishëm për të incentivuar vijimin e aktivitetit në të njëjtin kapacitet, si më parë si një faktor kyç edhe për zhvillimin ekonomik të vendit.
2- Të subvencionohen qiratë për klubet e natës dhe të strukturave të shërbimit, si: bare, restorante, kafenë për periudhën e karantinës dhe nëse do të ketë një mbyllje tjetër të ekonomisë.
3- Të rishikohet protokolli i masave anti-Covid-19 për këto njësi shërbimi, për të shmangur abuzimet dhe ryshfetet, si dhe nisjen e punës për klubet e natës kundrejt masës për instalim të tuneleve dezinfektuese.
Unioni Turistik Shqiptar
Të paguhen nga qeveria me pagë minimale me vlerë 26 mijë lekë, punonjësit e sektorit të turizmit deri në normalizimin e situatës.
Qendra e Eksporteve Shqiptare
1-Të mbrohen produktet e fermerit dhe industrialistit shqiptar nga produktet e subvencionuara në përputhje me zbatimin e masave, sipas standardeve ndërkombëtare të parashikuara te konventat e nënshkruara nga qeveria shqiptare.
2- Të ngrihet një qendër shkencore për studimin dhe analizimin e ideve dhe rekomandimeve të biznesit, me qëllim marrjen e vendimeve për të përballuar krizën nga pandemia.
Gjermania në karantinë, por biznesi i vogël merr 75% të xhiros së humbur
Qeveria federale gjermane dhe qeveritë e landeve duan të vënë nën kontroll shifrat me rritje drastike të infektimeve me Covid-19, duke vendosur kufizime masive të kontaktve gjatë gjithë nëntorit.
Sipas ARD dhe agjencisë gjermane të lajmeve “DPA”, në konsultimet me video midis kancelares Angela Merkel (CDU) dhe kryeministrave të landeve federale, kufizime të reja masive në jetën e përditshme do t’u vijnë qytetarëve nga e hëna e ardhshme, 2 nëntor.
Sipas planeve të Ministrit të Financave, Olaf Scholz (SPD) dhe të Ministrt të Ekonomisë, Peter Altmaier (CDU), sipërmarrjeve që preken veçanërisht nga rregullat e reja të Coronas, federata mund t’i kompensojë një pjesë të madhe të qarkullimit të humbur.
Scholz tha se, kostoja për këtë mund të jetë shtatë deri në dhjetë miliardë euro, për katër javë.
Më konkretisht, bizneseve të vogla mund t’u rimbursohet deri në 75% të xhiros së humbur, bizneseve më të mëdha deri në 70%. Si masë orientimi do të shërbejë qarkullimi i të njëjtit muaj të një viti më parë, d.m.th. fillimisht nga nëntori 2019. Sipas informacionit të gazetës “Handelsblatt”, pagesat e bëra tashmë, si subvencionet për periudhën kalimtare ose shtesat për punë me orar të shkurtuar duhet të zbriten nga ndihma emergjente. Kryesisht bëhet fjalë për biznese në sektorin e hotelerisë ose turizmit.
Parashikohet që në vendime të përfshihet më fort edhe Bundestagu. Pasi përfaqësuesit e grupeve parlamentare të Bundestagut bënë thirrje që parlamenti të përfshihet në diskutimet për kufizimet e reja të ardhshme, kërkesa për një rezolutë të Bundestagut për një mbyllje të re po dëgjohet më fort edhe nga landet.
Edhe Franca ndihma për bizneset
Ndërkohë ligjvënësit francezë javën e kaluar miratuan një paketë të re prej 100 miliardë eurosh, për të forcuar ekonominë e vendit. Bizneset e goditura më shumë nga izolimi i ri do të marrin 10,000 euro në muaj dhe listat e pagave të tyre do të kombëtarizohen në mënyrë efektive, në mënyrë që punonjësit që nuk mund të punojnë të mund të mbajnë punën e tyre.
/Burimi: MF; Shoqatat e Biznesit; DHTIT; DW; Monitor.al/Përgatiti: GazetaReforma.com/