SPAK-u merr në dorë dosjen e Kolë Hysenajt, i kallëzuar në Prokurorinë e Durrësit për shpërdorim detyre dhe korrupsion me qëllime përfitimi. Mësohet se Hysenaj është paditur për korrupsion me qëllime përfitimi. Dosja ka kaluar në Prokurorinë Speciale nga Prokuroria e Durrësit ishte marrë fillimisht kallëzimi.
Kujtojmë se prokurorit Hysenaj i është rimarrë nën verifikim pasuria nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit . Përmes një njoftimi për mediat, KPK sqaroi se seanca e planifikuar për në 25 shtator, për të dhënë vendimin për prokurorin, u shty pasi do të vazhdojnë hetimet për pasurinë e tij.
Pasuria e prokurorit Hysenaj rezulton se, krahasuar me vitin 2003, është 20-fishuar. Në deklaratën e parë të vitit 2003, prokurori Hysenaj deklaronte pasuri familjare me vlerë 1.9 milionë lekë, ndërkohë që në fund të vitit 2017, pasuria familjare arriti në vlerën e 40.8 milionë lekëve. Hysenaj ka deklaruar pasuri të patundshme me vlerë e 30.5 milionë lekëve, automjete me vlerë 8.9 milionë lekë dhe para në bankë me vlerë 1.3 milionë lekësh.
Prokurori Hysenaj, ishte një nga të besuarit e Adriatik Llallës, i cili e kishte komanduar në krye të Prokurorisë së Korçës për 15 muaj.
/GazetaReforma.com/