Lëvizje në krye të Prokurorisë. Si rezultat i procesit të rivlerësimit kalimtar, në datë 22 tetor 2020, Komisioni i Pavarur i Apelit ka shkarkuar nga detyra Drejtuesin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Tiranë. Me qëllim për të plotësuar vendin e lirë përkohësisht të Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, KLP miratoi projektvendimin për caktimin e përkohshëm të prokurorit Genti Xholi prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, të ushtrojë përkohësisht funksionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Tiranë.
Emrat e drejtuesve
Këshilli miratoi projektvendimet për caktimin e përkohshëm të prokurores Afërdita Ndoi, prokurore në Prokurorinë e Tiranës, të ushtrojë përkohësisht funksionin e prokurorit të Prokurorisë së Apelit Durrës; për caktimin e përkohshëm të prokurorit Albert Murçaj, të ushtrojë funksionin e Drejtuesit të Prokurorisë Shkodër; për caktimin e përkohshëm të prokurorit Lazër Çardaku, drejtues në Prokurorinë e Apelit Shkodër; për caktimin e përkohshëm të prokurorit Lorenc Mërkuri, Drejtues të Prokurorisë Sarandë; për caktimin e përkohshëm të prokurorit Erion Çela, Drejtues të Prokurorisë Vlorë; për caktimin e përkohshëm të prokurorit Asllan Bajramaj, Drejtuesit të Prokurorisë Përmet; për caktimin e përkohshëm të Brahim Dragjoshit, Drejtuesi të Prokurorisë së Apelit Shkodër; për caktimin e përkohshëm të prokurorit Ludovik Doda, Drejtues të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Durrës.
KLP do ta bëjë vetë vetingun e prokurorëve
Këshilli vlerësoi se procesi i vettingut nuk duhet të pengojë e aq më pak të shërbejë si justifikim që Këshilli të mos realizojë procese shumë të rëndësishme për karrierën e prokurorëve ku përfshihet edhe ngritja në detyrë. Në këto procese ligji i ngarkon Këshillit të drejtën për të kryer verifikimin e pasurisë dhe figurës së kandidatëve dhe më pas të kryejë edhe procedurat e vlerësimit dhe pikëzimit. Këtë kompetencë që ligji i ka dhënë Këshillit, ai nuk mund t’ia delegojë një organi tjetër siç është Komisioni i Pavarur të Kualifikimit.
Këshilli miratoi ngritjen e Komisionit ad hoc pёr shqyrtimin e rasteve të qëndrimit publik të Këshillit të Lartë të Prokurorisë në mbrojtje të figurës së prokurorit, të përbërë nga Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Kryetarët e Komisioneve të Përhershëm.
/GazetaReforma.com/