Policia e Shtetit nuk ka të ndalur sa u përket gjobave për personat që nuk mbajnë maska në rrugë. Sipas një njoftimi të uniformave blu, vetëm sot janë vendosur 621 gjoba nga 3.000 lekë secila të përkthyera në total, 1 863 000 mijë lekë.
Ndërsa një qytetar i infektuar me Covid i cili ka tentuar që të kalojë doganën e Kakavijës është gjobitur me 700.000 lek.
Gjithashtu dy persona janë gjobitur me nga 1 milion lek ku njëri ka zhvilluar dasmë ndërsa tjetri ka pasur muzikë të lartë.
Njoftimi i policisë:
Në zbatim të masave anticovid, gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin, nga Patrullat e Përgjithshme dhe ato të Policisë Rrugore janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë, 621 qytetarë që janë konstatuar pa maskat mbrojtëse.
Në Gjirokastër është ndëshkuar me masë administrative 700.000 lekë, një 41-vjeçar nga Mallakastra, i cili ka tentuar të kalojë në pikën e kalimit kufitar Kakavijë, duke qenë i infektuar me COVID-19.
Në Elbasan është ndëshkuar me masë administrative 1 milion lekë shtetasi P. N., pasi në lokalin në pronësi të tij, në Hotolisht, Librazhd, ka organizuar një ceremoni martesore, ne kundërshtim me masat anticovid.
Në Durrës është ndëshkuar me masën 5.000 lekë, një 21-vjeçar, pasi është konstatuar përsëritës i mosmbajtjes së maskës, herën e parë në rrugë dhe herën e dytë në një automjet, me drejtuesin e të cilit nuk kishte lidhje familjare.
Gjithashtu, është ndëshkuar më masë administrative 1 milion lekë shtetasi E. B., pasi ka mbajtur hapur lokalin në pronësi të tij, në lagjen nr. 7, Korçë dhe ka vendosur muzikë pas orës 20:00 në kundërshtim me Aktin Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020.
Gjithashtu, gjatë kontrolleve janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 11 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit apo nuk e kanë pasur atë me vete, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë.
Policia e Shtetit falënderon qytetarët që respektojnë këtë masë mbrojtëse dhe apelon që të gjithë të vendosin maskat mbrojtëse, të respektohet me rigorozitet vetëkarantinimi i detyrueshëm nga ata qytetarë që janë të prekur me COVID-19, pronarët e lokaleve të respektojnë protokollet e sigurisë dhe të mos kundërshtojnë urdhrin e punonjësve të Policisë, pasi Policia e Shtetit është në shërbim të qytetarëve, për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e tyre, ndaj dhe është i rëndësishëm zbatimi i kësaj mase mbrojtëse sepse parandalon infektimin me COVID-19.
/GazetaReforma.com/