Parlamenti nuk pret asnjë sekondë, nuk futemi në spiralen e ekstremistit Ilir Meta, ka deklaruar sot Kryeministri Edi Rama.
“Unë e kam sqaruar dhe komisionerin në bisedën që kemi pasur. Parlamenti nuk do presë asnjë sekondë se kemi zgjedhje në 25 prill dhe nuk do hyjmë në spiralen e një aventure ku na fton Ilir Meta, i cili nuk ka qëllim të përmirësojë Kodin Zgjedhor, por të sabotojë nga pozicioni i tij ekstremist anti shumicë këtë proces. Komisioni i Venecias është patjetër i mirëpritur të sjell kur të pjekë opinionin e vet, të cilin do ta diskutojmë me të gjitha forcat politike. Nuk kemi kohë për të humbur, e përsëris”, deklaroi Rama.
Ndërkaq, kryeministri ka kujtuar se është angazhuar që të vërë në zbatim identifikimin biometrik, sipas marrëveshjes së 5 qershorit, dhe kjo ëhstë një arsye, sipas tij, që parlamenti nuk pret.
“Strukturat e reja të administrimit zgjedhor kanë nisur punën dhe kanë nevojë të kenë të shkruar e zeza mbi të bardhë ligjin zgjedhor dhe impementimi zgjedhor kërkon kohën e vetë. Mos të harrojmë që është marrë një angazhim dhe për identifikimin biometrik. Koha është jashtëzakonisht e ngushtë, për të mos thënë e pamundur por ne nuk kemi asnjë arsye që të mos e refuzojmë në sekondën e parë që kalon afati i procedurës, Ilir Metën me gjithë këtë përpjekje që është tanimë një përpjekje botërisht e identifikuar si përpjekja e një lideri alternativ i një opozite të copëtuar dhe lideri absolut i një partie të degraduar”, deklaroi Rama.
Presidenti Ilir Meta i ka dërguar dje Komisionit të Venecias draftin me ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Ndërsa Komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi, tha se të gjitha palët duhet të prisnin tashmë Venecian.
/GazetaReforma.com/