Koronavirusi në vendin tonë vijon të përhapet me shpejtësi duke infektuar shumë punonjës dhe të institucioneve shtetërore e në këtë rast ato të arsimit.
Ditën e sotme janë konfirmuar me Covid-19 gjashtë edukatore në kopshtin “Sami Frashëri” në Peqin. Duke qenë se ky kopësht frekuentohet nga 100 fëmijë ai është mbyllur për dy javë për të parandaluar përhapjen e mëtejshme.
Kjo situatë ka alarmuar autoritetet përgjegjëse të cilat menjëherë kanë marrë të gjitha masat e parashikuara për përballimin e gjendjes aktuale. Rasti i parë me COVID-19 pozitiv në radhët e personelit që shërben në këtë kopsht është shfaqur që gjatë javës së kaluar.
Ndërkohë që sot bëhet me dije se edhe disa pjesëtarë të tjerë të personelit dyshohet se janë prekur nga COVID 19 pozitiv, ndërsa për 6 të tjerë rezultati u konfirmua zyrtarisht.
Personat e konfirmuar pozitivë janë vetë-karantinuar në banesa, ndërkohë ka filluar procesi i dezinfektimit të ambienteve të kopshtit i cili është një ndër më të mëdhenjtë në Peqin.
Autoritetet shëndetësore kanë filluar të testojnë dhe prindërit e fëmijëve që janë në këtë kopësht. Vetëm ditën e djeshme Ministria e Shëndetësisë njoftoi se në Peqin ishin konfirmuar me covid-19, tetë persona.