Konsumi i shumë ushqimeve në faza të ndryshme të moshës ka lidhje edhe me sëmundjet që mund të kalojë njeriu. Një pjesë e ushqimeve në një farë moshe dhe një kategorie personash, më tepër u bëjnë dëm se sa mirë.
Kwshtu, yndyrnat janë të nevojshme për mbarëvajtjen e funksioneve në organizëm, por jo të gjitha syresh janë të shëndetshme, veçanërisht për burrat dhe djemtë.
I tillë është rasti i yndyrnave trans të cilat kur janë në gjendje natyrale (tek shtazët) nuk janë aq të dëmshme, por kur ato janë artificiale, janë shkatërrimtare për shëndetin.
Çfarë janë yndyrnat Trans?
Pjesa më e madhe e këtyre yndyrnave formohen gjatë një procesi industrial të bashkimit të vajit vegjetal me hidrogjen, gjë që nxit edhe ngurtësimin e vajit në temperaturë ambienti.
Kjo lloj yndyrne e përpunuar garanton një jetëgjatësi më të madhe të ushqimit.
Ato përdoren kryesisht në restorante për skuqje sepse nuk ka nevojë të ndërrohet shpesh.
Gjurmë natyrale të këtyre yndyrnave gjenden tek mishi dhe produktet e bulmetit.
Ushqimet industriale që përmbajnë sasi të lartë të yndyrnave trans janë:
Ushqimet prej brumi të paketuar
Kokoshkat që përgatiten në mikrovalë
Pica e ngrirë
Brumi i gatshëm i ngrirë
Të skuqurat
Kremi i gatshëm i kafesë
Margarina
Yndyrnat trans dhe sëmundjet kardiovaskulare
Yndyrnat trans rrisin rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare sepse rrisin nivelet e kolesterolit të keq në gjak.
Sëmundjet kardiovaskulare në Shqipëri konsiderohen si sëmundjet me peshën më të madhe në shoqërinë shqiptare.
Në Shqipëri, në vitin 2010 sëmundjet kronike përbënin rreth 88% të të gjitha vdekjeve.
Sipas Institutit të Shëndetit Publik, 55% prej tyre kishin shkaktar sëmundjet kardiovaskulare të cilat prekin si gratë ashtu edhe burrat.
Sipas Institutit të Statistikave, nga viti 1990 deri në vitin 2014, numrin më të madh të vdekjeve e shënojnë meshkujt, dhe një nga arsyet kryesore është pikërisht teprimi me ushqimin çka bëhet shkak për një sërë sëmundjesh kardiovaskulare.
Përse burrat duhet të shmangin konsumin e yndyrnave trans
Këto yndyrna janë të ndaluara në shumë shtete pikërisht për shkak të lidhjes shkak-pasojë me sëmundjet e zemrës.
Vetëm në Shtetet e Bashkuara, ndalimi i këtyre yndyrnave besohet të shpëtojë shumë jetë të rrezikuara nga sëmundjet e zemrës.
Këto yndyrna gjenden rëndom në shumë ushqime të paketuara, përfshirë ato të brumit që ruhen në ngrirje për përdorim të mëvonshëm.
Studimet të cilave u referohet AgroWeb.org kanë zbuluar se 28% e burrave që konsumojnë yndyrna të tilla në harkun kohor të 10 viteve, janë të rrezikuar nga vdekja e parakohshme si pasojë e sëmundjeve të zemrës.
21 për qind e tyre kanë predispozitën të vuajnë nga sëmundjet e zemrës.
/GazetaReforma.com/