Një luftë e madhe politike që lidhet për postin e lakmuar të Presidentit të Kosovës, po ndodh kohët e fundit midis kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinajt (i cili është anëtar i koalicionit të qeverisë së Avdullah Hotit të LDK-së), dhe kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafës.
Duke qenë se mandati i presidentit, Hashim Thaçit, i mbaron në shkurt të vitit 2021, Haradinaj kërkon me ngulm se i takon atij ky post. Kreu i AAK-së, kërcënon me dalje nga koalicioni dhe rrëzim të qeverisë Hoti, në rast se posti i Presidentit nuk i jepet atij, duke e çuar kështu Kosovën, sërish në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Por nga ana tjetër, LDK duket sikur ka plane të tjera, dhe si forca politike e parë e koalicionit qeverisës, pretendon se i takon asaj posti i Presidentit.
Deputetët e kësaj partie kanë vendosur që të kandidojnë kryetarin Isa Mustafa për të marrë karriken e Thaçit.
Ky lajm është bërë i ditur nga numri dy i LDK-së, nënkryetari i kësaj partie, Lutfi Haziri, i cili deklaroi se LDK nuk ka asnjë kandidat tjetër përveç Isa Mustafës.
“Ende nuk kemi marrëveshje për president, unë po përsëris vazhdimisht që LDK-ja e ka ofruar rolin e vet konstruktiv për t’i dhënë vendit stabilitet. Ne jemi për një president konsensual, sa më konsensual në Kuvendin e Republikës, përtej saj nëse ka mundësi në mënyrë që t’i jepet vendit stabilitet.
LDK nuk ka biseduar me askënd për çështjen e ndarjes së rolit të presidentit. Nëse LDK-së i bie në mandat, ose LDK-ja duhet ta udhëheqë, ne besoj që do të japim kontributin tonë dhe nuk kemi emër tjetër përpos Isa Mustafës. LDK-ja pajtohet parimisht me çdo emër i cili afron të gjitha palët, të gjitha partitë në Kuvend të Republikës për të zgjedhur një president sa më konsesual të mundshëm”, ka thënë Haziri./GazetReforma.com/