Prej dy ditësh tashmë Italia, por sidomos rajoni Jugor në Napoli, janë ndezur nga protesta të dhunshme dhe revoltë masive qytetare që kundërshtojnë me forcë masat e reja të izolimit të propozuara nga qeveria atje.
Italianët më mirë se cili do në Europë e provuan dhe e panë nga afër se çfarë ishte epidemia e koronavirusit dhe izolimi i detyruar për muaj të tërë, por duket se tani kanë vendosur që t’i thonë “Stop” një mbylljeje të dytë.
Protestuesit në Napoli të Italisë u përplasën dhunshëm me policinë dhe u vunë zjarrin koshave të mbeturinave mbrëmjen e shkuar.
Ata reaguan të revoltuar pas masave të reja të sigurisë, që synojnë kufizimin e përhapjes së koronavirusit.
Qindra aktivistë dolën në rrugët kryesore të qytetit, duke marshuar dhe kënduar kundër izolimit të ri.
Makinat e policisë u sulmuan nga protestuesit, që përdorën shkopinj bejsbolli dhe kokteje molotov. Policia u përgjigj me gaz lotsjellës dhe tensionet u përshkallëzuan menjëherë.
Rastet me koronavirus në Itali janë shtatëfishuar që prej nisjes së muajit. Të premten u regjistruan 19.143 raste. Kjo ka shtuar frikën se pandemia po del jashtë kontrollit.
Por në Napoli nuk duan t’ja dinë dhe banorët janë shprehur kundër masave të ndalim-qarkullimit dhe zërave për një tjetër mbyllje, për shkak të rritjes së rasteve me koronavirus.
Me pankarta në duar dhe thirrje kundër qeverisë, protestuesit janë shprehur kundër vendimit, ndërsa thanë se; “Nuk po na vret COVID-i, po na vrisni ju!”.
Siç raportojnë mediat italiane, turma e qytetarëve marshuan drejt “Largo San Giovanni Maggiore” dhe Universitetit Lindor të Napolit.
Reagimi në fjalë erdhi pas deklaratës së bërë nga presidentit, Vincenzo De Luca për një tjetër mbyllje të vendit. Ndër banderolat që përdorën protestuesit ishin dhe; “Na mbyllni dhe na paguani”, dhe pastaj “Kundër De Luca”.
/Burimi: ANSA/Përshtati: GazetaReforma.com/