Prej gati një viti, naftëtarët e rafinerisë së Ballshit gjenden pa punë, teksa dyert e uzinës janë mbyllur. Kompania që po operonte deri vitin e kaluar, e zhytur në borxhe dhe detyrime të pashlyera, vendosi të largohej dhe si pasojë dyert e uzinës u mbyllën, duke lënë qindra punonjës pa punë.
Kompanisë që e kishte në përdorim, nuk i hyri asnjë gjemb nën këmbë, dhe iku si pa të keq, duke mos shlyer naftëtarët për pagat, dhe detyrimet në shtet. Por kush janë ata që pasurohen nga gjithë kjo aferë?
Kompanitë abuzuese
Padyshim që të parët që përfitojnë janë kompanitë që kanë në përdorim qindra mijëra ton naftë për të përpunuar. Tosk Energji dhe Byllis Energji ishin të fundit që kishin në përdorim rafinerinë, ndërkohë që kompania që e zotëron quhet ‘Allum’. Ato e nxjerrin naftën për ta shitur atje ku kanë më shumë përfitim, dhe veç këtyre interesave, nuk shlyejnë as punëtorët për punën e tyre.
Borxhet në shtet sigurisht që vetëm akumulohen, dhe ato gjithashtu lënë një barrë të shtuar në buxhetin e shtetit. Edhe me këtë mos-respektim të kontratës, organet shtetërore bëjnë vetëm rolin e shikuesit, duke mos ndërhyrë në asnjë moment.
Sigurisht që këto kompani po pasurohen në kurriz të naftëtarëve dhe shqiptarëve!
Oligarkët e naftës
Pala tjetër, aq e interesuar që kjo krizë të vijojë, sigurisht janë edhe pronarët e kompanive të karburanteve në Shqipëri. Asnjë litër naftë vendase nuk po përpunohet për t’u nxjerrë në treg, dhe të gjithë marrin naftën e importuar.
Edhe çmimi i naftës së importuar është më i lartë, dhe abuzimi duke e shitur më shtrenjtë në tregun vendas. Të gjithë pronarët po jetojnë në një kohë të artë për ta, duke shitur vetëm naftë të importuar.
Sigurisht që këto kompani po pasurohen në kurriz të naftëtarëve dhe shqiptarëve!
Shqiptarët e pësojnë gjithmonë
Ata që janë gjithmonë e përherë të shtypur, janë populli shqiptar. Kanë për të paguar çmimin më të lartë të naftës në rajon e në Europë, duke qenë vetëm një ‘minierë e arit të zi’.
Nafta që nxirret nga puset vendase, por asnjë litër nuk del në treg. Sigurisht që nafta vendase do ulte edhe koston dhe çmimin për publikun, por diçka e tillë nuk ka ndërmend të ndodhë, për sa kohë rafineria është e mbyllur.
/GazetaReforma.com/