Gratë naftëtare gjenden në ditën e 6-të të grevës së urisë, dhe situata shkon drejt përkeqësimit. Një prej tyre është dërguar në spital, pas problemeve me tensionin.
Në fillim ishin burrat për 18 ditë, teksa tashmë gratë paralajmërojnë se nëse nuk do të vazhdojnë dot do të fusin fëmijët në grevë.
Gjithashtu, gratë shprehen se do negociojnë me kryeministrin Edi Rama vetëm nëse për ta do të ketë paga të dhëna.
‘’Jemi brenda ligjit dhe veprojmë në formën më demokratike që ekziston. Shoqet na përfaqësojnë të gjithave, ju ka ikur zëri, s’kanë më fuqi. Kërkesa nga kryeministri për të negociuar bëhet vetëm nëse jep pagat. Nëse s’do mundemi më të vazhdojmë grevën, atëhere do fusim fëmijët këtu. Më mirë të rri këtu se po dola më kap borxhliu’’- tha naftëtarja.
Një prej mjekeve që po mbikëqyr grevistet, Majlinda Resuli deklaron për mediat se gratë duhet të dalin nga greva ose të përgjysmohen pasi po rrinë të gjitha në një dhomë në kushtet e COVID-19.
Ajo raporton se 2 prej grave kanë tension të lartë teksa përgjithësisht të gjitha janë në gjendje të rënduar shëndetësore.
/GazetaReforma.com/