Autori i vrasjes së biznesmenit Nikollaq Goro në Himarë, Kliti Leka, do të dalë sot para gjykatës së Vlorës për masën e sigurisë “arrest në burg”.
Kliti Leka e ka pranuar ekzekutimin e Nikollaq Goros, duke u justifikuar se ky i kishte tre apartamente borxh për pallatin e ndërtuar në tiokën r tij.
“…Jam me profesion radiolog, jam beqar dhe me 14 klasë. Me Niko Goron kishim rënë dakord të bënim biznes, ku unë pranova dhe kam firmosur një kontratë noteriale për vënien në dispozicion të një sipërfaqe toke prej 2650 metra katror që ndodhet në Himarë. Ndërsa Nikollaqi ka firmosur duke rënë dakord që të ndërtonte një pallat disakatësh mbi këtë sipërfaqe toke që unë disponoj dhe si këmbim ai do me jepte 3 apartamente.
Dokumentet dhe marrëveshjen noteriale e kam në makinë, por mjeti që unë mora me qira në Tiranë dhe që më pas e përdora në vrasje, nuk mund të hapet pasi, çelësat e makinës në ikje e sipër me vrap,i hodha brenda në det.
Jam fshehur në vendin e quajtur ish-prozhektori dhe aty ka qëndruar derisa ka ardhur policia. Nuk kam bërë asnjë rezistencë kur kanë ardhur policët, por jam dorëzuar menjëherë…”-kjo është një pjesë e dëshmisë së bërë në momentin dorëzimit nga 53-vjeçari Kliti Leka.
Prokuroria e Vlorës do të kërkojë masën e sigurisë “arrest në burg” për Kliti Lekën, i cili akuzohet për “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa lejë të armëve e municioneve të zjarrit”.
/GazetaReforma.com/