Prej kohësh polemikat dhe mosmarrëveshjet mes tyre kanë dalë edhe jashtë mureve të Shtëpisë së Bardhë, por ekspertit të koronavirusit deri tani i ishin marrë shumë mendime për bazë.
Megjithatë duket se Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, është ngopur me teoritë e doktorit ekspert, herë-herë fataliste dhe ka shpërthyer me tone të ashpra sot ndaj Kreut të Institutit Kombëtar të Alergjive dhe Sëmundjeve Infektive, Dr. Anthony Fauci.
Ky i fundit, është një nga më të njohurit në botë sa i përket këshillave kundër koronavirusit, por duket se tashmë ai e ka “mbushur kupën” për Presidentin.
Pikërisht Donald Trump, është shprehur i zhgënjyer prej tij, duke theksuar se njerëzit janë lodhur duke dëgjuar për pandeminë vdekjeprurëse, që ka vrarë më shumë se 215 000 amerikanë. Trump e konsideron atë si një “katastrofë” përreth “500 vjet”.
Duke iu referuar Faucit dhe zyrtarëve të tjerë të shëndetit si “idiotë”, Trump thotë se, është i gatshëm për të lëvizur nga katastrofa shëndetësore, edhe pse rastet po rriten përsëri dhe ekspertët mjekësorë paralajmërojnë se, më e keqja mund të jetë duke ardhur.
Sipas tij, nëse do të dëgjonte Faucin, më shumë se gjysmë milioni njerëz do të kishin vdekur në Shtetet e Bashkuara. Trump portretizoi rekomandimet e ofruara nga administrata e tij për të zbutur përhapjen e sëmundjes si një bezdi të rëndë.
“Njerëzit janë lodhur nga Covid. Unë kam tubime të mëdha”,- tha Trump, duke kryer një telefonatë me stafin e fushatës nga hoteli i tij me emër në Las Vegas, ku ai kaloi dy net.
“Njerëzit janë duke thënë gjithçka. Thjesht na lini rehat. Ata janë lodhur nga kjo. Njerëzit janë lodhur duke dëgjuar Faucin dhe gjithë këta idiotë”.
“Fauci është një djalë i mirë”,- vazhdoi Trump. “Ai ka qenë këtu për 500 vjet”.
Fauci ka qenë drejtor i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive që nga viti 1984 dhe është anëtar i Task Forcës së Koronavirusit në Shtëpinë e Bardhë. Pothuajse në të njëjtën kohë kur Trump po fliste në telefon, Fauci po vlerësohej në Akademinë Kombëtare të Mjekësisë për Udhëheqjen Shembullore gjatë një ceremonie virtuale. Fauci tha se ai ishte “pa fjalë”, ndërsa merrte njohjen.
“Kemi shumë sfida përpara nesh dhe nuk mund të mos mendoj se vërtet po kalojmë një kohë që është shqetësuese anti-shkencë në segmente të caktuara të shoqërisë sonë”,- tha Fauci.
/Burimi: BBC/ Përktheu: GazetaReforma.com/