Zëdhënësi i Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë Peter Stano, sqaroi në një intervistë për Radio Evropa e Lirë se deklarata e të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Prishtinë Beograd, Miroslav Lajçak lidhur me ndryshimet kushtetuese në Kosovë është keqinterpretuar.
Stano, theksoi se duhet bërë dallimi mes asaj që është “percepcion dhe keqinformim, me realitetin e shpjeguar nga zoti Lajçak”.
“Në këtë rast, është thënë ajo çka është e qartë – dhe zoti Lajçak ka shpjeguar se çfarë ndodh nëse je duke e negociuar një marrëveshje ndërkombëtare. Kur arrin një marrëveshje ndërkombëtare, atëherë duhet të konsiderohen rregullimet e nevojshme ligjore nga qeveria, duke përfshirë edhe nivelin kushtetues, në mënyrë që ta integrojë atë në rendin ligjor dhe kushtetues. Dhe kjo vlen për Kosovën dhe Serbinë” nënvizoi Stano.
Lajçak deklaroi më 15 tetor nga Beogradi, pas takimit të tij me presidentin serb Aleksandër Vuçiç se në një proces serioz negociator, “është e logjikshme që do të duhet të ndryshojë edhe Kushtetuta”. Përfaqësuesi i BE-së për dialogun shtoi se Kosova do të zbatojë të gjitha obligimet që i ka marrë përsipër në Bruksel, përfshirë edhe krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Kjo deklaratë shkaktoi reagime të shumta në Kosovë.
Por Stano sqaroi se qëndrimi i Brukselit zyrtar nuk ka ndryshuar duke hedhur poshtë mundësinë që Asociacioni të jetë pushtet i ndarë në Kosovë, dukem cituar fjalët e ish-përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini në Parlamentin e Kosovës më 2016 : “Ky Asociacion nuk do të jetë qeveri paralele brenda Kosovës dhe nuk do të ketë kompetenca legjislative. Do të formohet brenda kornizës ligjore dhe qeverisëse të Kosovës”.
Formimi i Asociacionit është parashtruar në marrëveshjen e nënshkruar midis Kosovës dhe Serbisë në vitin 2013 në Bruksel. Më 2015 dy vendet arritën një marrëveshje shtes për parimet e themelimit të tij por Gjykata Kushtetuese vendosi të rrëzojë marrëveshjen duke argumentuar se 28 pikat kryesore të saj nuk janë në përputhshmëri me kushtetutën e vendit.
/Burimi: Radio Evropa e Lirë/ Përshtati: GazetaReforma.com/